Kryetari i Lumir Abdixhiku ka reaguar pas Kuvendit të LDK-së, duke thënë se vendimi i delegatëve është pranuar me përulësi dhe se e konsideron atë një përgjegjësi të re për të ruajtur drejtimin e partisë, shkruan Scanner.
Abdixhiku theksoi se në LDK vendimin përfundimtar e merr gjithmonë anëtarësia, duke e cilësuar këtë si verdiktin më të rëndësishëm të Kuvendit. Ai vlerësoi se, pavarësisht sfidave të periudhës së fundit, partia duhet të mbetet e udhëhequr nga dialogu, maturia dhe respekti për mendimin ndryshe.
Në mesazhin e tij, ai shprehu mirënjohje si për delegatët që e mbështetën, ashtu edhe për ata që kishin qëndrim tjetër, duke nënvizuar se demokracia kërkon respekt dhe jo domosdoshmërisht njëzëshmëri.
Sipas Abdixhikut, prioriteti tani është bashkimi i LDK-së dhe angazhimi për stabilitet institucional në Kosovë, me fokus në funksionalizimin e institucioneve dhe vendosjen e interesit shtetëror mbi llogaritë politike.
“Mbrëmë mbyllëm një kapitull. Sot fillojmë punën, së bashku”, përfundon mesazhi i tij.
Postimi i plotë:
Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë.
Mbrëmë ajo foli.
Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së.
LDK mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë.
Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani. Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën.
Ky është roli ynë si LDK e vërtetë. Rolet tjera nuk na përkasin neve.
LDK ka nevoje për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK.
Mbrëmë mbyllëm një kapitull.
Sot fillojmë punën, së bashku.
Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë.






