Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova po përballet me një episod të errët politik, sepse partia fituese nuk po respekton Kushtetutën e vendit. Sipas tij, dorëheqjet e paralajmëruara nuk kanë vlerë nëse nuk përmbushen me veprime konkrete, raporton Ekonomia Online.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Abdixhiku ka thënë se porositur VV-në “jepini dorëheqje, ejani në seancë, zgjidhet çështja menjëherë”.
“Po përballemi me një episod të errët politik, sepse partia fituese nuk po respekton Kushtetutën e vendit, e cila thotë qartë se një person nuk mund të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet. LDK-ja do të votojë raportin menjëherë sapo të jepen dorëheqjet. Nëse e votojmë raportin pa u bërë dorëheqjet, dikush mund ta rrëzojë Qeverinë dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Deputetët tanë kanë dhënë dorëheqje — Jehona Lushaku e ka dorëzuar dorëheqjen dhe ka ardhur për të bërë votimin. Pas sulmit në Banjskë kemi pasur takim me kryeministrin, sepse jetojmë në të njëjtin shtet. Kërkojmë që të ketë një akt normal dhe minimal për Republikën e Kosovës. Jepni dorëheqje, mos krijoni probleme të panevojshme politike, ejani në seancë dhe zgjidhja bëhet menjëherë. Është një rast i paprecedentë kushtetues, por sërish pozicioni mbetet i njëjtë — nuk mund të kemi njëkohësisht deputetë që mbajnë edhe pozita ekzekutive. Duhet të jemi të pjekur dhe të mos shkelim Kushtetutën.
“E pamë në seancë, 52 mbështetës të një Qeverie të një partie që pretendon që i ka numrat. Jepini dorëheqje, ejani në seancë, zgjidhet çështja menjëherë”, ka thënë ai, raporton EO