Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar 7 shtatorin e vitit 1990 si një nga ditët më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, në rrethana okupimi dhe shtypjeje, me guxim dhe vendosmëri shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila, sipas tij, mbetet një akt themelor i shtetësisë së Kosovës.
“7 shtatori i vitit 1990 është një nga ditët më të shënuara të historisë sonë të re kombëtare. Është dita kur deputetët e Kosovës, me guxim dhe vendosmëri, shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktin themelor të shtetësisë sonë, të njohur përjetësisht si Kushtetuta e Kaçanikut”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik, por edhe një akt i rezistencës politike dhe demokratike ndaj pushtimit serb.
“Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte akt i madh rezistence dhe sfidë e hapur ndaj pushtimit. Ishte shprehja më e qartë e vullnetit të palëkundur të popullit tonë për liri, për barazi dhe për një të ardhme të pavarur e demokratike”, është shprehur ai.
Kryetari i LDK-së ka rikujtuar edhe deklaratën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, i cili 7 shtatorin e vitit 1990 e kishte cilësuar si ditën kur u vunë themelet e shtetit të Kosovës, pas Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut.
Në 36-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, Abdixhiku ka shprehur nderim për deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
“Në këtë 36-vjetor, përulemi me nderim para deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, përkundër rrezikut dhe presionit, morën vendimin historik për shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka vlerësuar se kjo kushtetutë mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të rrugëtimit shtetformues të Kosovës.
“Kushtetuta e Kaçanikut mbetet një nga testamentet më të fuqishme të rrugëtimit tonë shtetformues. Ajo na kujton se shteti i Kosovës u ndërtua mbi sakrificën, guximin dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Abdixhiku bëri thirrje për mbrojtjen dhe forcimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e demokracisë dhe orientimit euroatlantik e evropian.
“Sot, më shumë se tri dekada më vonë, ky testament na obligon ta mbrojmë shtetin e Kosovës, ta forcojmë demokracinë, t’i ruajmë institucionet dhe ta ndërtojmë një Republikë gjithnjë më të fortë, më demokratike dhe më euroatlantike e evropiane”, ka deklaruar Abdixhiku.
“Lavdi dhe nderim të përjetshëm të gjithë atyre që vunë themelet e shtetit të Kosovës”.






