Abdixhiku: Natë e rëndë për Republikën, VV inicioi përmbysjen e rendit kushtetues

- Advertisement -

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se sonte Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe rendit demokratik.

“Sonte, pas dy seancash, është një natë e rëndë për Republikën e Kosovës, meqenëse Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe rendit demokratik. Një rast i paprecedent, një dhunim kushtetues për shtetin tonë të ri. Ky sabotim i kushtetutës, i institucioneve të Republikës, ka përgjegjësi të lartë dhe këtë përgjegjësi të lartë do ta mbajnë ata që tentuan dhe iniciuan përmbysjen e tillë. LDK-ja analizon dhe vlerëson edhe vazhdon ta mbrojë idenë e saj, meqenëse kurrë nuk e kemi pranuar këtë sforcim të rregullit minimal, është rasti i paprecedent siç ka qenë edhe herën e kaluar seanca e 5 prillit. Si të tillë e dënojmë dhe natyrisht do ta mbrojmë me çdo mjet, çdo kënd, meqenëse kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vetë Republika e Kosovës është e panegociueshme në këtë pikë”, tha ai.

“Natyrisht që ju e dini tashmë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është i pandryshueshëm, është konsistent që nga dita e parë deri tani. Madje Lëvizja Vetëvendosje është zotuar që nga takimi i parë që nuk do të ketë kandidatura të imponuara siç i kemi pasur katër kandidatura deri tani. LDK-ja ka bërë thirrje, përsërit thirrje vazhdimisht, që e vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është nëpërmjet një marrëveshjeje politike. Dhe për këtë marrëveshje politike kemi pasur një propozim, kemi pasur një zotim, kemi pasur një qëndrim, të cilin Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka konsideruar të denjë ta respektojë. Prandaj, këto janë veprime shpërfillëse, monopartiake, që nuk i shërbejnë demokracisë, nuk janë të denja për Republikën e Kosovës dhe po na dërgojnë drejt zgjedhjeve të reja të radhës, për shkak se një parti politike nuk e kupton kompromisin”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit