A jeni ka strategjizoni (kundër mediave), me atë çka bën Albin Kurti?”
Kishin mbetur edhe disa ditë para zgjedhjeve lokale të tetorit, ku në rundin e parë Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitonte vetëm dy komuna nga 38: Istogun dhe Lipjanin.
Lumir Abdixhiku, udhëheqësi i kësaj partie e kishte një ‘predikament’: mbulueshmërinë e mediave. Papëlqimin e tij kishte nisur ta thoshte në terma të ashpër.
“Studio politikat redaktoriale të të cilave diktohen nga Shtabet Zgjedhore”.
Në deduktim, fjalën i binte ta kishte për Partinë Demokratike të Kosovës. Hiç Vetëvendosjen e cila mbante ndasi edhe diskursive me mediat, dhe AAK-në, e cila ka prani veçse modeste në media.
Çka s’i pëlqente edhe-më-hiç, ishte vëllimi i pranisë mediatike të komunës së Drenasit, ku PDK-ja ishte ndarë në dysh dhe kishte prodhuar vëmendje përtej-lokale.
“Atij në Dragash…në Junik…asnjërit nuk i intereson çka ndodh në Drenas…por ju e keni në studio Drenasin…për ata në komuna të veta Drenasi është totalisht i parëndësishëm”.
Moderatori i “Pressing” në T7, Leonard Kerquki, e ndali me një koment ironik, por pa iu drejtuar fillimisht atij.
“Me gjasë LDK-së analistat ia paskan ndalur turrin…”
Abdixhiku vazhdoi që indinjatën e vet ta shprehte karshi studio televizivive, ndërsa dallimin ta shënojë te partia e vet që “kandidatët tanë nuk e kanë parë të arsyeshme të bëjnë kësi fushate”..
Por, Kerquki s’e la të kalonte i papenguar në inatin e tij ndaj mediave.
“Punë e madhe që kandidatët e tu s’e kanë bë”, i shtroi tonet Kerquki.
Autori i “Pressing”-ut, e lexoi brendarreshtash armiqësinë e Abdixhikut ndaj mediave.
“Ju mes tjerash jeni produkt edhe i studiove televizive, edhe i mediumeve, keni rrjedhë prej të njëjtës proviniencë, dhe jeni mbështet për kryetar të LDK-së prej krejt studiove televizive. Nëse ju provoni m’i diskualifiku ose njollos studiot dhe analistët, atëherë na duhet debat për këtë. A jeni ka strategjzoni në atë çka bën Albin Kurti? I cili civjet veçse erdhi në studio televizive. Ose nëse diçka kësaj që ne nuk e dimë?”.
Me kaq Abdixhiku u ‘ndal’, dhe ndërroi temë.
…
Çdo referencë drejt një udhëheqësie të mëhershme të LDK-së, udhëheqësi i ri i do ta skualifikonte me “për zotin, ata që e kanë pru LDK-në në 11%”.
Me kaq do të përmbyste të vjetrit, karshi vetes, të riut, që edhe po “rinonte partinë”. Dhe, ngulte këmbë ai, “jemi rritur për 60 mijë vota” në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë “rritje” ai e la pasive deri në rrjedhje. Pozita as-këndej-as-andej pas 9 shkurtit, thoshte ai, vjen për një arsye: “sepse s’dua ta lëndoj LDK-në”.
Partia Demokratike e Kosovës kërkonte që Abdixhiku të pozicionohej për qeveri nga ish-opozita, dhe i kërkonin “siguro ti 19 numra, tjerët na lërë neve”.
Kjo, shprehej Abdixhiku, “ishte naivitet dhe premature”.
Nga PDK, Bedri Hamza, thoshte se për 7-8 muaj mund të kryheshin shumë punë dhe “shkojmë në zgjedhje” ndërsa vakumin institucional dhe lërjen e bërjes së lojës nga Albin Kurti do ta përkthente në pasoja për vendin.
Adresë dhe përgjegjësi e kësaj, pati thënë Bedri Hamza, “do të ishte LDK-ja”.
Jo Vetëvendosjes, jo PDK-së – në emër të “moslëndimit të LDK-së”, ishte çka ofroi për një vit Abdixhiku. Fjalët e kishte kështu:
“Nëse hajt qe po supozoj me vetëdije vendosim të shkojmë për gjashtë deri në tetë muaj qeverisje, kjo kish me qenë katastrofale për LDK-në, për mindset-in e LDK-së…LDK është e fuqishsme, por nëse e lëndojmë LDK-në me procese afatshkurte për të rikthyer edhe njëherë mendësinë antishtetare atëherë është dëmi i madh…Unë veç spo du me bë diçka që e penalizon LDK-në e më pas edhe Kosovën”.
Dhe, lo-and-behold, ndodhi saktësisht ajo.
…
LDK ra aty ku ishte në 2021-ën dhe Abdixhiku i është kthyer betejës me media, me fjalë nga leksikoni i Vetëvendosjes si “mercenarë” dhe “opinione të porositura”.
Kur përbrenda s’dihet si do të përkthehet fati i tij si udhëheq i partisë që ka shënuar rënie alarmante, Abdixhiku i doli në “ndihmë” zëdhënësit të partisë së vet që shprehu një opinion personaë se votimi i Hashim Thaçit president, ishte gabimi më i madh i LDK-së.
Dhe kjo në kohën, kur me vota të PDK-së, kjo parti fitoi Prishtinën, komunën më të rëndësishme në Kosovë dhe që mban LDK-në relevante si formacion politik.
Oktavat dejonamihaleske, Abdixhiku i luajti kështu:
“Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?…LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura dëshpërimi…nuk ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin.”
“Saherë që LDK është sulmuar, ka qenë sepse ka qenë e fortë nga brenda. Dhe kjo i bën nervoz. Sepse uniteti ynë më të mirë e vështirë – sidomos në të vështirë – është pengesë fatale për pazare, për pushtete të lehta dhe për interea primitive. Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu”, shkroi Abdixhiku.
Dhe pasoi sulmi i dytë.
“Mercenarët u lajmëruan vetë. Pa i përmendur. Siç thotë populli, u vetëlajmëruar ata me mizë mbas veshi.Dhe në lajmërimin e tyre, treguan se si mendojnë. Mendojnë se të gjithë sillen rreth krimit, sepse aty rrotullohen vet. Dikush rrotullohet aq larg sa mbërrinë dhe Aeroportin e Vlorës. Mendojnë se të gjithë shiten, sepse vetë janë për shitje. Mendojnë se të gjithë frikësohen, sepse vetë jetojnë nga frika. Ky është botëkuptimi i tyre.Nuk do ta lejojmë këtë botëkuptim të shtrihet në LDK as si fjalë, as si mendim, edhe më pak si ndikim. Unë besoj në politikë që s’blihet. Në fjalë që s’paguhen. Në njerëz që nuk shiten. Dhe anëtarësia e LDK-së nuk shitet e nuk blihet. Kjo na dallon. Prandaj dhe i mbrojë”.
Abdixhiku nuk ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetarshipi i LDK-së, por ka thënë se këtë gjë do ta shohë se si do të vendoset në kryesi të partisë së vet.
Nuk ka dalë ndonjë emër që do ta zëvendësonte, ndërsa akterë të LDK-së kanë thënë edhe se LDK-ja “nuk e pranon dorëheqjen” e tij. /Nacionale/






