Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur përmes një letre kryeministrit Albin Kurti, pas komunikimit të djeshëm të këtij të fundit për dialog politik ndërpartiak.
Në përgjigjen e tij, Abdixhiku theksoi se qëndrimet e LDK-së mbesin të pandryshuara dhe paraqiti një propozim konkret për dalje nga kriza politike: fillimin e një procesi të ri konsultativ ndërmjet partive politike parlamentare shqiptare, që synon krijimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit.
“Kjo qeveri do të ketë afat të caktuar, qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues e unifikues,” thuhet në letrën e Abdixhikut.
Ai shtoi se LDK është e gatshme të udhëheqë këtë proces konsultativ për të kontribuar në zgjidhjen e krizës aktuale dhe ruajtjen e stabilitetit kombëtar në vend.
Për këtë iniciativë, Abdixhiku tha se ka njoftuar edhe liderët e partive tjera shqiptare në Kuvendin e Kosovës: Memli Krasniqin (PDK), Ramush Haradinajn (AAK) dhe Fatmir Limajn (Nisma).
“Shpresoj në reflektim të përgjegjshëm nga të gjithë,” përfundoi Abdixhiku.