Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit të mbajtur në degën e presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova ka përsëritur zotimet e tij për kryeqytetin, në vlerë prej 1.5 miliard euro.
Sipas tij këto investime do të jenë për 4 vitet e ardhshme.
“Prandaj, gjatë kësaj fushate, së bashku me kryetarin e Prishtinës sonë, Përparim Ramën, nënshkruam zotimin tonë për 1.5 miliard euro investime në kryeqytet, në katër vitet e ardhshme, pjesë të programit tonë, Rruga e Re, për unazën e re, Unaza e Jashtme e Kryeqytetit, në 29 kilometra gjatësi, për Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, ku do të vendoset Stadiumi Kombëtar me 25-30 mijë ulëse, Pallati i Sporteve me Dorë, Pisha Olimpike, GamingHall, Fusha e Tenisit, Fakulteti i Edukatës Fizike si dhe kompleksi i qëndrimit’’, tha Abdixhiku gjatë tubimit të degës.