Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se në Mal të Zi nuk ka pasur diskutime për temën e demarkacionit me Kosovën. Ai thotë se kjo temë për malazezët ishte mbyllur më 2017 dhe se nëse në Kosovë duan ta gjejnë fajtorin, atëherë të shohin se kush ishte në psuhtet në atë kohë.
“Nuk e di pse është dashur të hapet një temë që është arkivuar më 2017. Nëse ekziston një dilemë, adresa është Hashim Thaci dhe njerëzit që kanë qenë në pushtet në atë kohë në Kosovë”, thotë ai.
“Unë më 2017 nuk kam qenë në pushtet. Mendoj se Kosova duhet më parë ndërmjet vete të shoh kush ka nënshkruar diçka dhe pse ajo nuk ka qenë në interes të shtetit të juaj. Nëse duhet të hapet një temë, dunë dialogut kurrë nuk i kam ikur. Në pozitën e re nuk mund t’i ikë këtyre temave rajonale siç e përmendet demarkacionit dhe gjëra tjera që janë prej të kaluarës”, shton Abazoviq në Klan Kosova.
Abazoviq shton se për momentin nuk e sheh të mundshme një dialog për temën e kufirit me Kosovën, por cek se është i hapur për dialog.
“Unë në këtë moment nuk e shoh atë mundësi. Askush në Mal të zi nuk e trajton atë si problem. Ajo për Malin e Zi është mbyllur në momentin kur është nënshkruar. E di se në Kosovë është sjellë një debat. Në Mal të zi nuk ka pasur debat për këtë punë. Kam një bindje që vetëm me dialog dhe respektim mes shteteve mund të arrijmë në konkludime dhe zgjidhje që janë të mira për të dy palët. Duhet në mënyrë sa më të mirë dhe miqësore të arrijmë dialog”, shtoi ai.