A votuan Thaçi dhe të tjerët në Hagë? Flasin nga Gjykata Speciale

- Advertisement -

Përveç në Kosovë, të drejtën e tyre për votim kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Përmes postës apo në përfaqësi diplomatike, kanë votuar rreth 100 mijë mërgimtarë, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë derisa të vlerësohen fletëvotimet nëse janë të vlefshme.

Ndërkohë, është ngritur edhe pyetja nëse kanë pasur mundësi të votojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në Hagë.

Përmes një përgjigje për lajmi.net, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka thënë se janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të mund të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar.

Megjithatë, ata nuk kanë treguar nëse katër të lartpërmendurit kanë votuar.

“U morën të gjitha masat që të paraburgosurit të mund të ushtronin të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Nëse të paraburgosurit kanë vendosur të votojnë, kjo është çështje e tyre private dhe si e tillë nuk mund të komentojmë për të”, kanë thënë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për lajmi.net.

Pas mbylljes së qendrave të votimit dje në orën 19:00, KQZ-ja menjëherë ka filluar numërimin e votave dhe publikimin e rezultateve.

Sipas këtyre rezultateve, VV-ja ka marrë 42,91% të votave, PDK-ja 21.08% të votave, LDK-ja 17,6% dhe AAK-ja 7.17%.

Sot pritet që të nisë numërimi i votave me kusht, i votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga diaspora. Më pas do të numërohen edhe votat e kandidatëve për deputetë.

Të ngjashme

Të fundit