19.2 C
New York
Thursday, April 25, 2024

Buy now

A munden vërtet kafshët ta nuhasin frikën tek njerëzit?

- Advertisement -

Nga Jennifer Nalewicki- Prej kohësh është diskutuar nëse kafshët janë të afta ta nuhasin frikën tek njerëzit. Për fat të keq, përgjigjja e kësaj pyetjeje të vjetër nuk është aq e thjeshtë. Po çfarë thonë studimet shkencore? A mund të nuhasin vërtetë kafshët frikën e njerëzve?

Për të mbërritur deri në origjinë të kësaj pyetjeje, studiuesit kanë hequr kryesisht praninë njerëzore nga ky ekuacioni, pasi kafshët siç janë qentë dihet se reagojnë ndaj shprehjeve tona dhe mënyrës së qëndrimit të trupit. Prandaj, ekspertët janë përqendruar tek mënyra se si kafshët, përfshirë kuajt dhe qentë, reagojnë ndaj aromave të ndryshme të lëshuara nga njerëzit duke shikuar video të lumtura kundrejt atyre që shkaktojnë frikë.

Në një studim me disa kuaj, të botuar në vitin 2023 në revistën “Scientific Reports”, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve të shikonin klipe nga një komedi një ditë dhe një film horror një ditë. Pasi pjesëmarrësit shikuan çdonjërën nga videot, studiuesit mblodhën mostra djerse nga sqetullat e shikuesve duke përdorur pambuk, dhe i kërkuan pjesëmarrësve të raportonin se sa gëzim ose frikë ndjenin gjatë shikimit të secilit prej klipeve.

Më pas, studiuesit prezantuan dy mostrat nga i njëjti njeri tek një kalë i caktuar, për të parë nëse ai mund të dallonte aromat e prodhuara nga njerëzit gjatë kohës së lumturisë dhe shqetësimit. “Në fillim nuk ishim të sigurt nëse kuajt mund të dallonin aromat”- tha për Live Science autori kryesor i studimit Plotine Jardat, doktorant në Universitetin Tours në Francë.

Por kuajt reaguan ndryshe në varësi të cilës shtupë u ekspozuan. “Kur kuajt nuhatën mostrat e djersës nga njerëzit e gëzuar, ata përdorën vetëm vrimat e majta të hundës. Kjo tregon se cilën pjesë të trurit po e përdorin për të analizuar aromën. Tek të gjithë gjitarët, dy hemisferat e trurit kanë funksione të ndryshme dhe në një kontekst emocional, duket sikur aroma nga mostrat e gëzimit u perceptua si më pozitive nga kuaj”- thotë Jardat.

Por kur kuajve iu treguan mostrat e marra nga njerëzit gjatë shikimit të filmit horror, kafshët reaguan shumë ndryshe dhe jo vetëm që nuhatën mostrën më gjatë, por përdorën të dy vrimat e hundës për të kapur ndonjë erë, thekson eksperti.

Megjithatë, Jardat nxitoi të theksojë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kuajt e dinë se çfarë është frika. “Nuk është se kur kuajt nuhasin një kafshë tjetër, u kalon në mendje fjala frikë. Por tani ne e dimë se kuajt mund të dallojnë aromat nga gjendjet e ndryshme emocionale te njerëzit.”

Dhe ngre një pikëpyetje:Çfarë përbërjesh specifike prodhojnë njerëzit në djersën e tyre, që shkakton një ndryshim në sjelljen e kuajve? Studiuesit sugjerojnë që kimio-sinjalet, të cilat janë kimikate të prodhuara nga kafshët që mund të ndikojnë në sjelljen e një kafshe tjetër, mund të shpjegojnë edhe reagimet e kuajve.

Tek njerëzit, ka disa përbërës në djersë, të tilla si adrenalina ose androstadienoni (një proteinë e ngjashme me feromoninën), që mund të shkaktojnë një ndryshim të erës gjatë momenteve të frikës. Këto përbërës mund të bartin “informacion emocional” nga një specie në tjetrën, shkruajnë studiuesit në studim.

Në një studim të ardhshëm, shkencëtarët planifikojnë të shqyrtojnë nëse nuhatja e frikës, mund të shkaktojë një reagim të frikshëm tek kuajt, dhe çfarë lloj ndikimi mund të ketë kjo te kafshët emocionalisht, duke i nxitur ata të kryejnë një sërë testesh pasi të nuhasin mostrat.

“Ne duam të kuptojmë nëse frika do të modifikojë reagimet e tyre ndaj testeve”- thotë Jardat.

Ndërkohë, në një studim të vitit 2018 në revistën “Animal Cognition”, shkencëtarët u kërkuan qenve të racës Labrador që të nuhasnin mostrat e mara nga sqetullat e pjesëmarrësve meshkuj pasi panë një videoklip të frikshëm apo që ngjall gëzim. Studiuesit e vendosën kampionin brenda një kutie me hapjen njërën anë, dhe e vendosën atë brenda një dhome të mbyllur me dy persona:një të huaj dhe pronarin e qenit.

Ashtu si me studimin e kuajve, studiuesit zbuluan se qentë reagonin ndryshe në varësi të faktit nëse nuhasin aromën e një njeriu të frikësuar apo të lumtur. “Kur qentë ndjenin aromën e një personi të lumtur, ata e shtuan ndërveprimet e tyre me të huajin që gjendej në dhomë”- tha për Live Science autori kryesor i studimit Biagio D’Aniello, profesor i zoologjisë në Universitetin e Napolit Federico II në Itali.

“Kur ndjenin erën e frikës, ata ose shkonin tek pronari i tyre ose shkonin te dera dhe përpiqeshin që të dilnin nga dhoma”- tha për Live Science bashkautorja e studimit Anna Scandurra, një studiuese post-doktorale në Universitetin e Napolit Federico II.

Studiuesit arritën në një përfundim të ngjashëm si shkencëtarët në studimin e kuajve: Reagimet e qenve ishin të mundshme për shkak të kimio-sinjaleve, duke sugjeruar se “komunikimi emocional midis dy specieve të ndryshme” ishte në lojë, shkruan autorët në studimin e tyre.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit