Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në qershor konfirmoi se auditimi kishte përfunduar, por raporti nuk do të publikohej.
“Sot kemi finalizuar raportin e auditimit ‘Monitorimi, mirëmbajtja dhe siguria e digave në Kosovë’. Ky raport i auditimit nuk do të publikohet, por vetëm i është dërguar palëve audituese përgjegjëse për zbatimin e rekomandimeve të auditimit”, kishte thënë ajo.
Sipas Spancës, publikimi i të dhënave mund të cenonte sigurinë e infrastrukturës vitale dhe të ekspozonte dobësi që mund të rrisnin rrezikun për sigurinë publike. Ajo tha se vendimi ishte marrë duke u bazuar në legjislacionin për informacionin e klasifikuar dhe pas rekomandimeve të organeve kompetente të sigurisë.
“Shfrytëzoj rastin ta falënderoj Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar për mbështetjen në këtë proces”, shprehej Auditorja e Përgjithshme.
Spanca, pra, e bëri publike përfshirjen e AKI-së në proces.
KIKS Kosova e pyeti AKI-në nëse ekzistenca e një rekomandimi të tillë mund të bëhej publike, në rast se komunikimi kishte karakter të klasifikuar, por nuk mori përgjigje.
Ndërkohë, përgjigjja e Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar- AMIK hapi një çështje tjetër se kush ka pasur të drejtë ta shohë raportin.
AMIK konfirmoi se drejtuesit e institucioneve të pavarura, përfshirë ZKA-në, kanë kompetencë ligjore për klasifikimin e informacionit.
Por për personat që kanë qasje në informacion të klasifikuar, Agjencia dha një sqarim të rëndësishëm:
“Personat që kanë qasje në informacion të klasifikuar duhet t’i plotësojnë kushtet e përcaktuara me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, përfshirë pajisjen me Certifikatë të Sigurisë së Personelit, kur një certifikatë e tillë kërkohet për nivelin përkatës të klasifikimit, si dhe respektimin e parimit të ‘Nevojës për të ditur’”.
Sipas burimeve të mirëinformuara të KIKS Kosovës, auditorët që kanë punuar në hartimin e raportit dhe personat që e kanë rishikuar atë nuk kanë pasur certifikata sigurie.
KIKS Kosova e pyeti AMIK-un nëse ZKA-ja kishte kërkuar konsultim për klasifikimin e raportit dhe nëse Agjencia kishte dhënë rekomandim, vlerësim apo opinion. AMIK-u nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve.
Edhe ZKA-së iu kërkua të tregonte nëse auditorët dhe personat që e rishikuan dokumentin kishin certifikata sigurie. Ndërsa Ibër-Lepencit dhe KRU Prishtinës, të cilave u ishte dërguar raporti, iu kërkua të tregonin kush kishte pasur qasje në të dhe nëse dokumenti ishte shqyrtuar nga bordet.
Asnjëra prej këtyre institucioneve nuk i është përgjigjur KIKS Kosovës për këto çështje.
Më poshtë, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:






