Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se megjithëse është në vendin e parë për grantin e performancës në nivel nacional bashkë me komunën e Rahovecit, Drenasi nuk ka marrë buxhet.
“Keqklasifikimi i pasqyrave tona financiare nga Auditori, janë pa fajin tonë. Faji është i Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, për shkak të kontratave kolektive të lidhura me sindikatat përkatëse pa i zotuar mjetet financiare”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë:
I nderuari ministër Krasniqi,
Z. Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së, përfaqësues special në Kosovë,
Z. Riby, zv. Ambasador i Suedisë,
Z. Sprecher, ambasador i Zvicrës,
Të nderuar të pranishëm,
Zhvillimi i qeverisjes lokale në Kosovë, gjatë dekadës së kaluar është karakterizuar me zhvillime të hovshme. Progresi në shërbime dhe administratë i atribuohet përpjekjeve të profesionistëve si dhe të zyrtarëve të përkushtuar në të gjitha nivelet brenda komunës dhe nivelit qendror.
Sistemi i Menaxhimit të Performancës së Komunës përfaqëson një instrument të rëndësishëm për vrojtimin e respektimit të të drejtave dhe detyrimeve të organeve të pushtetit lokal gjatë ofrimit të shërbimeve, të përcaktuara me politikat, prioritetet dhe rregullativën përkatëse ligjore dhe nënligjore.
Konsideroj se gara për Grant dëshmon profesionalizmin e zyrtarëve dhe përkushtimin për arritje sa më të mira. Është garë me parime të njëjta, ku vlerësimet e paanshme japin rezultate.
Nga rezultatet e Raportit të performancës për vitet e kaluara, është vërejtur se shumica e komunave nuk po mund të kenë qasje në Grant, për shkak të kushteve minimale që kërkohen dhe si me sfiduese janë:
1. Raporti i zyrës se Auditorit të përgjithshëm për komunat respektive, dhe
2. Shpenzimi i buxhetit për shpenzimet kapitale në vlerën prej 75%.
Edhe pse jemi të vlerësuar si të parët, me pikë të njëjta me Rahovecin, pa fajin tonë, nuk jemi përfitues të grantit për vitin 2022.
Ne e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë me mjete ligjore vlerësimin e Auditorit dhe do të kërkojmë riparimin e dëmeve që na janë shkaktuar.
Keqklasifikimi i pasqyrave tona financiare nga Auditori, janë pa fajin tonë. Faji është i Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, për shkak të kontratave kolektive të lidhura me sindikatat përkatëse pa i zotuar mjetet financiare.
E falënderojmë MAPL-në, Ambasadën e Suedisë, Zvicrës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian, DEMOS-in, për përkrahjen dhe vlerësimet objektive të performancës tonë komunale.
Edhe pse sivjet nuk marrim buxhet nga Granti si komunë në vend të parë, bashkë me Rahovecin, dëshmon përkushtimin e qeverisjes lokale, të asamblistëve, zyrtarëve dhe qytetarëve të komunës së Drenasit.
Granti i performancës ndikon që komunat të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarë, me vendime demokratike, duke zbatuar barazinë, llogaridhënien dhe transparencën.
Ne, vendit të parë ia kemi marrë dorën, por, ka vend të rritet akoma cilësia në shërbim të qytetarëve.
Ju faleminderit!
https://www.facebook.com/share/8GQzmekkasS2VYpz/?mibextid=WC7FNe