Tetë persona janë paraqitur në spitalet universitare në Tiranë për të marrë trajtim mjekësor, pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së sotme.
Mes tyre janë një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një efektiv policie, dy përfaqësues të medias dhe katër protestues, raporton Tch.
Sipas informacionit paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur gjashtë persona: një deputet, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Ministria bën me dije se të gjithë kanë lënë spitalin pas marrjes së trajtimit mjekësor.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë paraqitur për trajtim një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias.






