Kur Bobby Moore ngjiti shkallët e Wembleyt për të ngritur trofeun “Jules Rimet” më 30 korrik 1966, pak kush mund ta imagjinonte se Anglia do të vazhdonte të priste edhe 60 vjet më vonë për një tjetër triumf në Kupën e Botës.
Kjo pritje u zgjat edhe një herë të mërkurën, kur skuadra e Thomas Tuchel shpërdoroi epërsinë në minutat e fundit ndaj Argjentinës së frymëzuar nga Lionel Messi, duke u mposhtur 2:1 në Atlanta dhe duke mbetur jashtë finales së Botërorit 2026.
Gjatë gjashtë dekadave që nga triumfi i vetëm botëror, ka ndryshuar futbolli, ka ndryshuar Britania dhe ka ndryshuar e gjithë bota.
BBC ka publikuar shifrat që tregojnë historinë e pritjes së pafund të Anglisë.
454 debutues
Që nga fitorja 4:2 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finalen e vitit 1966, plot 454 futbollistë kanë debutuar me Kombëtaren e Anglisë.
Debutuesi i parë ishte John Hollins, i cili u bë lojtari i 847-të në historinë e kombëtares në miqësoren e fituar 2:0 ndaj Spanjës në Wembley në maj të vitit 1967.
Më i fundit është talenti i Liverpoolit, Rio Ngumoha, lojtari i 1.300-të që ka veshur fanellën e Anglisë, duke debutuar në qershor në fitoren 1:0 ndaj Zelandës së Re në Tampa.
Në Kupat e Botës, që nga viti 1970, Anglinë e kanë përfaqësuar 161 futbollistë të ndryshëm, nga kampionët e Alf Ramsey deri te brezat që kanë dështuar gjithmonë pranë suksesit.
15 trajnerë në kërkim të suksesit
Jo më pak se 15 trajnerë të përhershëm kanë tentuar të përsërisin suksesin historik të Alf Ramsey.
Ron Greenwood, Bobby Robson, Glenn Hoddle, Sven-Göran Eriksson, Fabio Capello, Gareth Southgate dhe Thomas Tuchel kanë udhëhequr Anglinë në Botëror, por asnjëri nuk ka arritur ta rikthejë trofeun në shtëpi.
Që nga viti 1966, vetëm shtatë kapitenë kanë udhëhequr Anglinë në Kupat e Botës: Bobby Moore, Mick Mills, Bryan Robson, Alan Shearer, David Beckham, Steven Gerrard dhe Harry Kane.
Dështime që janë bërë histori
Anglia ka marrë pjesë në 12 nga 15 Kupat e Botës të zhvilluara pas vitit 1966, por gjithmonë është ndalur para finales.
Eliminimet e saj janë kthyer në histori të futbollit:
Humbja pasi kishte epërsi 2:0 ndaj Gjermanisë Perëndimore në vitin 1970.
“Dora e Zotit” dhe “Goli i Shekullit” i Diego Maradonës në vitin 1986.
Lotët e Paul Gascoigne në gjysmëfinalen e vitit 1990.
Kartoni i kuq i David Beckham ndaj Argjentinës në vitin 1998.
Goditja e lirë legjendare e Ronaldinhos në vitin 2002.
Goli i rregullt i Frank Lampard që nuk u pranua në vitin 2010.
Penalltia e humbur e Harry Kane ndaj Francës në vitin 2022.
Rikthimi dramatik i Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit 2026.
Pas triumfit në gjysmëfinalen e vitit 1966, Anglia ka humbur të tria gjysmëfinalet e mëvonshme: në vitet 1990, 2018 dhe 2026.
Madje, vetëm dy herë në këtë shekull një skuadër ka kaluar në epërsi në një gjysmëfinale të Kupës së Botës dhe ka humbur në fund. Të dyja herët ishte Anglia – ndaj Kroacisë në vitin 2018 dhe ndaj Argjentinës në vitin 2026.
Gjermania dhe Argjentina – “makthi” i Anglisë
Gjermania (duke përfshirë edhe Gjermaninë Perëndimore) dhe Argjentina e kanë eliminuar Anglinë nga Kupa e Botës nga tri herë secila që nga viti 1966.
Edhe penalltitë janë kthyer në një makth për anglezët.
Chris Waddle dhe Stuart Pearce humbën penalltitë në gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë Perëndore në vitin 1990.
David Beckham u përjashtua me karton të kuq ndaj Argjentinës në vitin 1998, para se Anglia të eliminohej pas penalltive, ndërsa katër vjet më vonë ai realizoi penalltinë e fitores ndaj të njëjtit rival.
Që nga viti 1966 kanë qenë 30 vende në finalet e Kupës së Botës, por ato janë zënë vetëm nga tetë shtete:
Gjermania – 6 finale
Argjentina – 6 finale
Brazili – 4 finale
Italia – 4 finale
Franca – 4 finale
Holanda – 3 finale
Spanja – 2 finale
Kroacia – 1 finale
Anglia vazhdon të mbetet jashtë këtij grupi elitar.
Ndërkohë që Anglia priste…
Kalimi i kohës shihet edhe jashtë futbollit.
Që nga viti 1966, Britania ka pasur 14 kryeministra, nga Harold Wilson deri te Sir Keir Starmer, ndërsa Shtetet e Bashkuara 11 presidentë, nga Lyndon B. Johnson deri te Donald Trump.
Mbretëresha Elizabeth II është pasuar nga Mbreti Charles III.
Janë ndërruar shtatë aktorë të James Bond dhe 15 interpretime të serialit Doctor Who.
Njerëzit kanë zbritur në Hënë, ka rënë Muri i Berlinit, është shpikur World Wide Web, është ndërtuar Tuneli i Kanalit që lidh Britaninë me Evropën kontinentale dhe epoka e telefonave inteligjentë ka ndryshuar jetën e përditshme.
Kur Anglia fitoi Kupën e Botës, kënga “Out of Time” e Chris Farlowe ishte në vendin e parë në Britani, ndërsa filmi “Batman: The Movie” me Adam West ishte më i shikuari në kinema.
Finalen e vitit 1966 e ndoqën rreth 32.3 milionë shikues në televizion, një nga audiencat më të mëdha në historinë e transmetimeve britanike.
Edhe himni jozyrtar i futbollit anglez, “Three Lions”, tashmë është plakur. Kur u publikua para Euro 1996, refreni i famshëm fliste për “30 vite dhimbje”.
Që atëherë kanë kaluar edhe 30 vite të tjera.
Ëndrra vazhdon
Pavarësisht zhgënjimeve, Anglia ka nxjerrë vazhdimisht futbollistë të nivelit më të lartë.
Gary Lineker fitoi “Këpucën e Artë” me gjashtë gola në vitin 1986. Harry Kane e përsëriti këtë arritje në vitin 2018 dhe sërish shënoi gjashtë gola në Botërorin 2026, duke ndarë barrën e golave me Jude Bellingham, i cili gjithashtu realizoi gjashtë herë.
Megjithatë, pavarësisht 454 debutuesve, 15 trajnerëve, shtatë kapitenëve dhe 161 futbollistëve që kanë luajtur në Kupat e Botës, Bobby Moore mbetet ende i vetmi kapiten anglez që ka ngritur trofeun më të madh në futboll.
Ndërsa nis një tjetër cikël botëror, shpresa vazhdon të mbetet e njëjtë – se ndoshta brezi i ardhshëm do ta sjellë më në fund Kupën e Botës në shtëpi.






