Një rast i rëndë kishte ndodhur rreth një vit më parë në Gjakovë.
Leonora Shala, 35 vjeçare humbi jetën si shkak i një ndërhyrje fatale pas vizitës tek dentisti.
E pikërisht ky dentist raportohet të jetë sulmuar fizikisht së fundi nga babai, bashkëshorti dhe vëllai i bashkëshortit të Leonora Shalës.
Gjatë ditës së djeshme, tre familjaret e viktimës theksohet se rrahën brutalisht stomatologun Xhavit Karaxha, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë. Madje bashkë me të theksohet se ishte edhe nëna e tij të cilët më pas janë dërguar për trajtim në spital.
Rasti në fjalë është konfirmuar për lajmi.net edhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se është iniciuar rast për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Tutje u tha se sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në lidhje me këtë rast.
Ky rast gjithashtu është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku ndër të tjerash u tha se tre sulmuesit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, për shkak se kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar dhe nënën e tij, duke u shkaktuar lëndime trupore. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”.
E deri tek ky incident dyshohet se erdhi për shkak të vendimit të gjykatës për ndërprerje të masës së paraburgimit duke e liruar për t’u mbrojtur në liri, të dyshuarin për vrasjen e vajzës së tyre, 35 vjeçare.
Në tetor të vitit 2023, Gjykata Supreme kishte ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, ku të akuzuarit i është ndërprerë masa e paraburgimit duke e liruar për t’u mbrojtur në liri.
I dyshuari Xhavit Karaxha dhe H.K, të pandehurit në këtë rast dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, ku si shkak theksohet të ketë humbur jetën pacientja 35 vjeç.
Të arrestuarit për rrahjen e doktorit Karaxha thuhet se janë: H.K-babai i viktimës, bashkëshorti F.Sh si dhe vëllai i tij A.Sh.
Leonora Shala kishte marrë rrugën për në Kosovë në gusht të vitit 2023, duke mos ditur se kjo do të jetë hera e fundit e saj që vie në vendlindjen e saj.
Bashkë me bashkëshortin dhe katër fëmijët kishin planifikuar që pushimet t’i përfundonin më 24 gusht, por gjithçka ndryshoi pas trajtimit që mori tek dentisti në fjalë. Familja arriti që të kthehej në Itali për të vazhduar jetën, por këtë herë pa Leonorën.
E njëjta vdiq më 22 gusht 2023 si dhe u varros në Kosovë.