​346 pacientë përfituan trajtim ortodontik në QKSK gjatë vitit 2026

- Advertisement -

Gjithsej 346 pacientë kanë përfituar nga terapia fikse ortodontike në Klinikën e Ortodoncisë të Qendrës Klinike Stomatologjike të Kosovës (QKSK) nga janari i vitit 2026 e deri më tani, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Sipas njoftimit të QKSK-së, terapia fikse ortodontike realizohet përmes aparateve fikse (briketave), të cilat përdoren për korrigjimin e anomalive dentare dhe nofullore. Trajtimi synon përmirësimin e okluzionit, raporteve ndërnofullore, si dhe funksioneve të përtypjes, të folurit dhe frymëmarrjes, në rastet kur ato janë të dëmtuara nga anomalitë ortodontike.

Para fillimit të trajtimit, pacientët i nënshtrohen ekzaminimeve klinike dhe radiologjike, përfshirë ortopantomografinë dhe cefalometrinë, të cilat shërbejnë për vendosjen e diagnozës së saktë, hartimin e planit individual të trajtimit dhe monitorimin e progresit gjatë gjithë terapisë.

Në QKSK theksojnë se trajtimi planifikohet veçmas për secilin pacient, duke marrë parasysh moshën, llojin dhe shkallën e anomalisë, si dhe nevojat funksionale dhe estetike. Sipas institucionit, diagnostikimi dhe ndërhyrja në kohë janë faktorë të rëndësishëm për arritjen e rezultateve të qëndrueshme dhe ruajtjen e shëndetit oral.

Qendra Klinike Stomatologjike e Kosovës bëri të ditur se do të vazhdojë të avancojë shërbimet e specializuara përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe përdorimit të teknologjisë moderne diagnostikuese.

Të ngjashme

Të fundit