Sot, me nderim të thellë, krenari dhe mirënjohje të përjetshme, u shënua 28-vjetori i rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, bashkëshortes së tij, heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci, si dhe të dëshmorëve të lirisë Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
Në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, sot u zhvillua ceremonia përkujtimore, ku u bënë homazhe në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës. Në këtë ditë të veçantë kujtese morën pjesë Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përfaqësues të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, shkrimtarë, personalitete të jetës publike e politike, bashkëluftëtarë të Fehmiut dhe Xhevës, si dhe shumë qytetarë.
Prania e shumë prej bashkëluftëtarëve dhe bashkëudhëtarëve të tyre të asaj kohe i dha ceremonisë një emocion të veçantë. Me respekt dhe përulësi u kujtuan rrugët e përbashkëta të luftës, sakrifica, qëndresa dhe idealet për të cilat Fehmiu, Xheva dhe shumë bashkëluftëtarë të tyre u vunë në shërbim të lirisë së Kosovës.
Sot, pas 28 vitesh, emrat e tyre vazhdojnë të jenë pjesë e pashlyeshme e kujtesës sonë kombëtare. Fehmiu dhe Xheva, së bashku me të gjithë dëshmorët e lirisë, mbeten simbol i sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Lavdia e veprës së tyre do të jetojë përjetësisht në zemrat tona.
Ata ranë për një ideal që sot e gëzojmë si liri.
Lavdi e përjetshme Fehmi e Xhevë Lladrovcit, dëshmorëve të lirisë dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!






