Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se njëzet ligjet të cilat pushteti i Vetëvendosjes i mirqtoi të enjten e javës së kaluar, duke vepruar në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Regullores së Kuvendit, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
“Duke e vlerësuar të patolerueshme një sjellje të tillë të shumicës parlamentare e cila brenda ditës improvizoi disa seanca në të cilat u dhunua instituti i shqyrtimit parlamentar të ligjeve (siç e përcakton Kushtetuta), kemi vendosur që njëzetë ligjet e miratuara në seancat e datës 05 dhjetor 2024 t’i kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
“Një vendim i tillë, për të ngritur para kësaj gjykate kërkesat për vlerësimin e kushtetushmërisë së këtyre ligjeve, para së gjithash, paraqet vazhdimësi të punës dhe angazhimit konsistent të PDK-së në mbroje të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike mbi të cilat është ngritur dhe qëndron Republika jonë”, tha ai.
Ai tha se jemi të bindur që procedura e shqyrtimit dhe miratimit të këtyre ligjeve është kundër-kushtetuese dhe jemi duke punuar që të gjitha parashtrimet tona para Gjykatës Kushtetuese, si gjithnjë, të konfirmohen të bazuara, të drejta dhe mbi të gjitha profesionale.
“Si deputetë, asnjëherë nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë shkeljes dhe cenimit të rendit tonë kushtetues!”, tha Tahiri.