Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e ka cilësuar 16 shtatorin si një datë historike për Kosovën, duke thënë se verdikti që pritet të shpallet atë ditë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e vendit.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Behrami tha se kjo datë mund të ndryshojë jo vetëm të tashmen dhe të ardhmen, por edhe mënyrën se si kuptohet e kaluara e Kosovës.
“Unë mendoj që këto ditë është vetëm një datë e rëndësishme për Kosovën, nuk është 9 shtatori, nuk është ndoshta edhe i 12-ti, edhe pse është shumë i rëndësishëm, është 16 shtatori. Sepse për herë të parë në historinë e Kosovës e kemi një ditë, një datë, që mund ta ndryshojë jo vetëm të tashmen, të sotmen, jo vetëm edhe të ardhmen, por mund ta ridefinojë edhe të kaluarën tonë. Pra është një datë që mund t’i ridefinojë të gjitha kohërat dhe historinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Behrami.
Tutje, ai u shpreh se në këtë datë “mundet me ndërru gjithçka për të mirë e për të keq”, kurse sipas tij, “debatet se kush e merr një votë më shumë, debatet se kush i ka fajet më shumë, debatet se a po e çojmë vendin në zgjedhje me 27 dhjetor a me 20 dhjetor, debatet se cila parti ka faj më shumë e më pak, janë debate fataliste”






