15 të lënduar gjatë stuhisë së fuqishme në Shkup – dy raste serioze

- Advertisement -

Pesëmbëdhjetë persona janë lënduar dhe janë pranuar në dy klinika të Shkupit pas stuhisë së fortë që goditi kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut pasditen e së martës.

Nëntë nga të lënduarit janë ekzaminuar në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Kujdes Intensiv dhe Qendër Urgjence (TOARILUC), ndërsa gjashtë persona janë pranuar në klinikën universitare për sëmundje kirurgjikale “Shën Naum Ohri”, shkruan media shqiptare në RMV, “PaCensure”.

Drejtori i TOARILUC-së, Igor Mërxhanoski, për MIA-n deklaroi se nga nëntë të lënduarit, dy persona kanë lëndime më të rënda. Një grua me lëndim në kokë është hospitalizuar në Neurokirurgji, ndërsa një paciente tjetër ka pësuar thyerje të dorës.

Gjashtë personat që janë pranuar në klinikën “Shën Naum Ohri” kishin prerje dhe kontuzione dhe janë trajtuar ambulatorisht. Drejtori i institucionit, Nebojsha Nastov, për MIA-n tha se tre pacientë pas ekzaminimit janë lëshuar për trajtim në shtëpi, ndërsa tre të tjerë janë ende në fazë të ekzaminimit.

“Të gjithë janë në gjendje të stabilizuar. Fillimisht nuk japin përshtypjen se do të mbahen për trajtim të mëtejshëm. Një pacient është lënduar nga rënia e një peme dhe degët e kanë goditur, një është lënduar nga një llamarinë që ka rënë nga një çati, ndërsa një tjetër nga pllaka qeramike të rëna”, shtoi Nastov për MIA-n.

Nga Spitali i Përgjithshëm Qytetar “8 Shtator” informojnë se te ata nuk janë pranuar persona të lënduar pas stuhisë, por spitali ka pësuar dëme materiale të konsiderueshme.

Drejtori i spitalit, Sinisha Stojanoski, për MIA-n tha se shkalla e saktë e dëmit do të dihet pas inspektimit të plotë në terren dhe hartimit të procesverbalit zyrtar

Të ngjashme

Të fundit