​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

- Advertisement -

Një djalë 13-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një shatërvani në Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamancës, gjatë festimeve për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnate në shatërvanin “Glorieta del Árbol Gordo”, ku një numër i madh tifozësh ishin ngjitur mbi strukturë për të festuar fitoren e Spanjës. Një pjesë e sipërme e shatërvanit u shemb nën peshën e turmës dhe një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë.

Shërbimi i emergjencës 1-1-2 i Castilla y León bëri të ditur se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa telefonatave që njoftonin për shembjen e strukturës mbi personat e mbledhur në vendngjarje. Menjëherë u angazhuan Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës shëndetësore.

Dy persona morën ndihmë mjekësore dhe u transportuan në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo. Njëri prej tyre, 13-vjeçari, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për gjendjen e të plagosurve të tjerë.

Në mbështetje të familjes së viktimës është aktivizuar edhe Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike për Fatkeqësi dhe Emergjenca. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shembjes së shatërvanit gjatë festimeve.

Të ngjashme

Të fundit