Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë përmes një dokumenti që kanë publikuar në faqen zyrtare, kanë njoftuar se kanë lejuar një familjar të një viktime që të vazhdojë pjesëmarrjen e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026 nga Paneli Gjyqësor II, pas kërkesës së avokatit të viktimave, Simon Laws, i cili kishte njoftuar Gjykatën se një person i pranuar si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces kishte vdekur.Viktima, e identifikuar në dokumentet gjyqësore me kodin V260/06, ishte pranuar si pjesëmarrëse në proces më 15 shkurt 2023.
Pas vdekjes së tij, më 2 tetor 2026, avokati i viktimave kërkoi që një familjar i tij të lejohej të vazhdonte pjesëmarrjen në procedurë.

Për ta mbështetur kërkesën, avokati kishte dorëzuar në Gjykatë certifikatën e vdekjes së viktimës dhe dokumentacionin që dëshmonte lidhjen familjare me personin që kërkonte të vazhdonte pjesëmarrjen.
Paneli Gjyqësor konstatoi se ishin plotësuar kushtet për aprovimin e kërkesës, përkatësisht ishte dëshmuar vdekja e viktimës dhe lidhja e afërt familjare me personin që do të vazhdojë pjesëmarrjen në proces.Në arsyetimin e vendimit, Gjykata theksoi se, ndonëse Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk e rregullojnë shprehimisht vazhdimin e pjesëmarrjes së viktimave pas vdekjes së tyre, të drejtat e tyre pjesëmarrëse mund të shtrihen edhe te trashëgimtarët.
Sipas Gjykatës, kjo është e nevojshme për të garantuar efektivitetin e së drejtës së viktimave për njohjen e dëmit që kanë pësuar.Gjykata vendosi gjithashtu që familjari të përfitojë masa mbrojtëse, duke urdhëruar që identiteti dhe të dhënat e tij personale të mos u zbulohen palëve në proces dhe publikut.
Për këtë qëllim, familjari do të identifikohet me pseudonimin V260A/06 në dokumentet dhe procedurat gjyqësore.Në dispozitivin e vendimit, Paneli Gjyqësor II aprovoi kërkesën e avokatit të viktimave, lejoi vazhdimin e pjesëmarrjes në emër të viktimës së ndjerë dhe urdhëroi ruajtjen e anonimitetit të familjarit.






