Vjosa Osmani ka publikuar një postim në Facebook ku shfaqet me disa nga kandidatet për deputete në zgjedhjet e 7 qershorit dhe disa gra që punojnë në një sallon bukurie.
Të mbledhura në një foto, Osmani ka çuar një mesazh për Ministrinë në detyrë Glauk Konjufca. Osmani ka theksuar rëndësinë e punës së grave dhe duke thënë se asnjë grua që punon nuk duhet të bëhet objekt përqeshjeje.
Ajo tha se gratë janë “shtylla e Kosovës” dhe kontribuojnë çdo ditë në familje, shoqëri dhe ekonomi.
“Veç puna e çon përpara Kosovën. Jo urrejtja e përçmimi!
Asnjë grua që punon nuk duhet të jetë objekt përqeshjeje!
As gruaja në sallon.
As gruaja në market.
As gruaja në shkollë.
As gruaja në spital.
As gruaja në zyre.
As gruaja në Universitet.
As gruaja që mban biznes.
As gruaja që mban familje.
As gruaja që punon pa u ndalur, edhe kur askush nuk ia sheh mundin. Gratë janë shtylla e Kosovës. Janë heroinat tona të çdoditshme, që punojnë, kujdesen, krijojnë, shërbejnë, rrisin fëmijë, paguajnë taksa, dhe ndërtojnë jetë me djersën e tyre. Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë se mijëra fjalët tuaja boshe”, ka shkruar Osmani.
Ky postim vjen veç një ditë pasi Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë një takimi me qytetarë, ka ironizuar me ish-presidenten e vendit Vjosa Osmani.
“Qyre, kur jena te frizerkat”, tha Konjufca, dhe fillon të qesh, si dhe shkaktoi të qeshura edhe tek të pranishmit tjerë. Kjo video e Konjufces u publikua në rrjete sociale.
Konjufca, ka reaguar pasi në media u raportua se në një video-incizim ai dëgjohej duke përdorur termin “frizerkë” për ish-presidenten Vjosa Osmani.
Konjufca mohoi që deklarata e tij të kishte të bënte me Osmanin, duke e cilësuar gjithë rastin si “lajm të rremë” dhe “shtrembërim të qëllimshëm”.
Ai tha se gjatë një tubimi në Ferizaj, ishte ndërprerë nga një “pseudogazetar”, i cili kishte përdorur termin “frizere”, ndërsa ai kishte reaguar duke mbrojtur këtë profesion.
“Sqarova se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu, për këtë arsye ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria”, tha Konjufca.
Sipas tij, diskutimi kishte vetëm qëllimin për të kundërshtuar përdorimin përçmues të profesionit të frizeres dhe nuk kishte asnjë lidhje me presidenten Osmani






