6.8 C
New York
Monday, March 10, 2025

Buy now

Zyrtari policor shpallet për herë të dytë i pafajshëm për korrupsion

- Advertisement -

Zyrtari policor Nebi Sheqiri për herë të dytë është shpallur të premten i pafajshëm nga akuzat për korrupsion.

Sipas aktgjykimit të shpallur në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk është provuar se i pandehuri Sheqiri ka kryer veprat penale për të cilat ishte akuzuar.

Palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh, nga momenti që e marrin të njëjtin.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sheqiri u shpall në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 nëntor 2021, Nebi Sheqirin e kishte liruar nga akuza, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat ishte akuzuar.

Por, Gjykata e Apelit në muajin shkurt të 2022-ës, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017, Nebi Sheqiri ngarkohet se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor- Veriu në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Prokuroria pretendon se gjatë periudhës 2012–2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhje të rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, ku kryerësi nuk dihej. Të njëjtin kallëzim penal kundër “NN”, thuhet se e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në Prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij, në dollapin e tij.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Nebi Sheqiri, në cilësinë e personit zyrtar, ka manipuluar me prova, ashtu që gjatë periudhës 2012–2016, derisa e kishte hetuar një vjedhje të rëndë, e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, ku kryerësi nuk dihej.

Sipas aktakuzës, të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009. Por, i akuzuari Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, thuhet se e ka fshehur atë, duke e lënë në zyrën e tij, në dollapin e tij dhe nuk e ka dorëzuar në prokurori.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova”, nga neni 397, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit