Qeverisë Kurti nuk i kanë pëlqyer shumë zyrtarët publikë që nëpër rrjete sociale e kanë kritikuar ekzekutivin. Vitin e kaluar Ministria e Drejtësisë ka marrë masa ndaj dy zyrtarëve të saj që kanë shprehur preferencat e tyre politike në “Facebook” dhe kanë kritikuar VV-në.
Por, kjo qeveri nuk e ka problem kur zyrtarët që i ka emëruar vetë në pozita kyçe fyejnë e shajnë rëndë opozitën dhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po shikohen në Hagë.
Njeri nga zyrtarët e lartë publik që merret me oponentët e qeverisë Kurti është drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë(DMZP), Bislim Bislimi, i cili është emëruar rishtas në këtë pozitë.
Ky zyrtarë i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, profilin e tij në “Facebook” e ka të mbushur me statuse kundër partive opozitare dhe ish-krerët e UÇK-së.
Në statusin e fundit, ai ka sulmuar edhe Gjykatën Kushtetuese për mungese të profesionalizmit.
Si duket Bislimit nuk i ka pëlqyer shumë vendimin e Kushtetueses për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Sipas tij, ata që i kanë emëruar këta gjyqtar një ditë do të cilësohen si kriminel.
“Gjykata jonë Kushtetuese e ka bërë këtë. I ka marrë një qytetari të Kosovës një të drejtë themelore, duke interpetuarr në mënyrë të shkëputur një dispozitë të një ligji tjetër jashtë Kodit Penal, si sanksion penal. Ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, duke kapur e përdredhur kësi gjyqtaresh, një ditë do të dihen e do të kualifikohen si kriminel që tentuan të sakrifikojnë të ardhmen e Kosovës e të qytetarëve të saj”, ka shkruar Bislimi.
Në ditën kur ka filluar procesi gjyqësor në Hagë, ai është marrë me ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka thënë se ata nuk e kanë mbrojtur UÇK-në ashtu siç duhet.
Sipas tij, krerët e UÇK-ë janë bërë horë në Hagë.
“Eu po ç’u bonet horë. A do me mbetë kush UÇK a jo? Qe ju vjen zor, thuni që unë jam konë bre… 11 vjeçar, as ligji nuk m’kap. Mosni bre se mbesin këto për besë. Dokrrat propagandistike i merr era… mbrone luftën e UÇK-së o burra se edhe juridikisht është e argumentueshme”, ka shkruar ai.
Bislimi në statuset e tij nuk e ka kursyer as opozitën.
“Opozita është realisht pro marrëveshjes e publikisht kundër saj, derisa po e akuzon kryeministrin. Po të isha në vend të KM Kurti, para se të udhëtoja, do ta thërrisja një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me një pikë të vetme të rendit të ditës: 1. Shfuqizimi (në dy lexime brenda ditës) i Marrëveshjes së Brukselit 2013, ku edhe është nënshkrimi e miratimi i Asociacionit. Këtu ish nda shapi prej sheqerit”, ka shkruar ai më 27 shkurt.
Për statuse në “Facebook” MD-ja kishte marrë masa ndaj dy zyrtarëve
Vitin e kaluar Ministria e Drejtësisë kishte marrë masa ndaj dy zyrtarëve të saj, të cilin kishin shprehur qëndrime kritike ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, Elbasan Dervishaj, ishte dërguar në Komision Disiplinor vetëm pse kishte kritikuar VV-në pasi kishte fituar një rast ndaj ministrisë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.
“Pushteti i VV-së provoi të më diskreditojë, diskriminojë, provoi ta ndyjë figurën time, ndërsa mori atë që e meritonte, mori përgjigjen nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, po ashtu ka marrë përgjigje edhe nga organet tjera të drejtësisë. Ju mund të vazhdoni të më luftoni, por nuk jeni luftëtarë të denjë, sepse keni një histori familjare të PËRLYER”, kishte shkruar Dervishajt, teksa njoftonte se Këshilli Civil e kishte rrëzuar vërejtjen që ia shqiptoi Ministria e Drejtësisë.
E për këtë status në “Facebook”, Elbasan Dervishaj wshtw përballur me Komisionin Disiplinor.
Gazeta Nacionale kishte mësuar nga burimet brenda Ministrisë së Drejtësisë që Dervishaj është njoftuar se do të ballafaqohet me Komisionin.
“Për shkak të një postimi në Facebook kanë vendosur me e dërgu në Komision Disiplinor. Seretari Lulzim Beqiri e ka iniciuar procedurën pas emailit të pranuar nga shefi i kabinetit të ministres”, kishte thënë ky burim për Nacionalen.
Në Komision Disiplinor ishte dërguar edhe një zyrtar tjetër i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë.
Labinot Gashi ishte dërguar në komision disiplinor vetëm pse kishte shkruar një postim përkrahës ndaj Elbasan Dervishajt pas raportimit të Nacionales.
Pretendimet e Nacionales i kishte konfirmuar edhe Ministria e Dritësisë.
Nw njw përgjigje pwr Nacionalen, MD-ja kishte treguar se ndaj dy zyrtarëve të saj kishte nisur procedurë për shkak se ata kishin bërë shkelje profesionale dhe etike.
“Legjislacioni në fuqi për shërbyesit civilë, rregullon sjelljet dhe veprimet profesionale dhe etike të zyrtarëve, brenda dhe jashtë orarit të punës. Lidhur me rastin në fjalë, është hapur procedurë pikërisht për shkak të shkeljeve të pretenduara profesionale dhe etike, dhe Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë, është kompetent për ta trajtuar rastin e tillë”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Nacionalen.
Ndryshe nga MD-ja, Ministria e Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga ministri Xhelal Sveçla, nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj drejtorit të Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë(DMZP), Bislim Bislimi.
Kjo tregon për standardet e dyfishta që po përdoren në Qeverinë Kurti ndaj zyrtarëve publik.