Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se kryeministri Albin Kurti e do dhe e njeh Kosovën vetëm kur është në pozitë.
Në një shkrim në Facebook, ai ka rikthyer një deklaratë të vjetër të Kurtit.
“Prej 6 vitesh Kurti nuk shpenzon as për biletën e autobusit urban që e blinte nganjëherë për të mashtruar se si kur të vie në pushtet do t’i shes xhipat e zi qeveritar e naftën e tyre do ta planifikojë për traktorat e bujqve…
Për vite të tëra, si figurë opozitare, Kurti ka artikuluar qëndrime që relativizonin arritjet shtetërore dhe zbehnin sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku efekti kryesor ishte dobësimi i besimit dhe krenarisë qytetare ndaj shtetit të tyre të ri.
Nënvlerësimi i sukseseve dhe paraqitja e realitetit në mënyrë të shtrembëruar nuk kanë qenë të rastësishme, por pjesë e një strategjie politike, të ndjekur nga ai dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes deklaratave dhe veprimeve të vazhdueshme, Kurti dhe Vetëvendosje kanë pasur qëllimin që të dobësonin besimin dhe respektin në shtetin e ri të Kosovës”, ka thënë ai.
Kështu, sipas tij, Kurti është edhe me Kosovën në futboll.
“Kot shkon edhe në stadiumin e futbollit, ngaqë të gjithë e dijnë se kur ai feston, ai po mashtron, sepse kur do të kthehet në opozitë ai prapë do ta mbajë në dorë koktejin e molotovit i gatshëm për t’ia ndalë rritën Kosovës”.






