Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se në një moment KFOR-i ishte tërhequr nga patrullimet, kur Kosova e Serbia s’po pajtoheshin për një marrëveshje mbi targat.
Sipas Azemit, kur palët s’gjejnë pajtim mbi situata të ngjashme, KFOR-i mund të bëjë hapa prapa nga roli që ka.
“Qytetarëtd uhet ta dinë që në momentin që palët s’janë marrë vesh për targat, KFOR-i është larguar nga patrullimet rrugore dhe iu ka thënë palëve, tani ju zgjidheni. Tani është kthyer, por kur s’ka dakordime KFOR-i tërhiqet”, ka thënë Azemi në DPT te Fidani.
“Kjo është e vërtetë”, ka deklaruar ai.
Azemi ka folur edhe për gjendjen aktuale në veri. Ai ka thënë se në atë pjesë, asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare nuk funksionon.
“Për çdo ditë që po kalojmë, po shohim që tensionet atje veç po rriten. Kemi deklarime nga dy anët se situata mund të përkeqësohet. Kjo nuk na bënë mirë. Situata në veri është serioze. Asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare, nuk funksionon”, ka shtuar Azemi.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk sheh mundësi të konfliktit të armatosur përderisa sigurinë në Kosovë e mbështet NATO.
“Mund të kemi trazira dhe tensionime ad-hoc”, ka shtuar ai.
Azemi ka vlerësuar se neutraliteti i KFOR-it në këtë situatë, është mesazh që me problemin e krijuar në veri duhet të merren palët e përfshira në mënyrë më aktive.