Dy prej këtyre zyrtarëve i thanë agjencisë “Reuters” se nuk është marrë ndonjë vendim për të dërguar trupa në territorin e Iranit, por forcat shtesë do ta fuqizojnë kapacitetin për operacione të mundshme në të ardhmen në rajon.
Dislokimi i anijes sulmuese amfibe “USS Boxer”, krahas Njësitit Ekspeditues të Marinës dhe luftanijeve shoqësurese, vjen pasi agjencia “Reuters” kishte raportuar se administrata e presidentit Donald Trump po e shqyrtonte dislokimin e mijëra trupave amerikane për ta përforcuar operacionin e saj në Lindjen e Mesme.
Trumpi tha të enjten para gazetarëve se nuk do të vendoste trupa “askund”, por edhe nëse do të bënte një gjë të tillë, nuk do t’u tregonte gazetarëve për atë.
Burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti për të diskutuar rreth dislokimeve të ardhshme, nuk treguan se cili do të jetë roli i trupave shtesë.
Njëri nga zyrtarët tha se trupat do të nisen nga bregdeti perëndimor i Shteteve të Bashkuara rreth tri javë para kohës së planifikuar. Njësiti i ekspeditës ka rreth 2.500 pjesëtarë.
Shtëpia e Bardhë i referoi pyetjet te Pentagoni, i cili nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Dislokimi i ri do t’u shtohet 50 mijë trupave amerikane që tashmë ndodhen në Lindjen e Mesme dhe do të sjellë dy Njësite Ekspedituese të Marinës në rajon. I pari, MEU-ja, që ishte dërguar nga Indo-Paqësori, pritet të arrijë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme.
Këto njësite mund të përdoren për disa arsye, përfshirë kryerjen e sulmeve duke i përdorur aeroplanët që ndodhen mbi anije, ose mund të dislokohen në territor tokësor.
Aeroplanmbajtësja “Gerald Ford”, e cila pësoi një zjarr, është nisur për riparime në ishullin grek të Kretës. Zyrtari i tha agjencisë “Reuters” se Marina do ta dërgojë aeroplanmbajtësen “Bush” për ta zëvendësuar “Gerald Ford”-in, e cila ka qenë duke qëndruar në det për më shumë se nëntë muaj.
Burimet kishin thënë më parë se ushtria amerikane ishte duke u përgatitur për hapa të ardhshëm të mundshëm në fushatën e saj kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt.
Agjencia “Reuters” ka raportuar se në këto opsione përfshihen sigurimi i Ngushticës së Hormuzit, potencialisht përmes dislokimit të forcave amerikane në vijën bregdetare të Iranit.
Sipas kësaj agjencie, administrata e Trumpit gjithashtu ka diskutuar opsione për dërgimin e forcave tokësore në Ishullin e Khargut, pjesë e Iranit që shërben si qendër për 90 për qind të eksporteve iraniane të naftës.
Çfarëdo përdorimi i trupave tokësore amerikane – madje edhe për një mision të kufizuar – do të mund të paraqiste rreziqe domethënëse për Trumpin, duke e marrë parasysh mbështetjen e ulët nga publiku amerikan për fushatën kundër Iranit dhe premtimet e presidentit para zgjedhjeve që ta shmangte ngatërrimin e ShBA-së në konflikte të reja në Lindjen e Mesme.
Sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos” të enjten, rreth 65 për qind e amerikanëve besojnë se Trumpi do të urdhërojë dërgim trupash për një luftë tokësore të shkallës së lartë në Iran dhe vetëm 7 për qind e mbështesin këtë ide.
Sipas Pentagonit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ndaj 7.000 caqeve brenda Iranit dhe kanë goditur më shumë se 40 anije për vendosjen e minave ujore e 11 nëndetëse.
Si shenjë që lufta mund të vazhdojë për ca kohë, një zyrtar amerikan i tha agjencisë “Reuters” se Pentagoni ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që t’i miratojë një kërkesë që do t’i dërgohej Kongresit për më shumë se 200 miliardë dollarë për financimin e operacione ushtarake në këtë konflikt./Nacionale/






