Zyrtarët e shteteve anëtarë tw NATO-s po përpiqen të kuptojnë zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve në Rusi, ndërkohë që luftëtarët mercenarë të grupit Wagner po pushtojnë gjithnjë e më shumë territor dhe duket se po marshojnë në veri drejt Moskës, raporton portali amerikan Politico.
Shumë politikanë të lartë evropianë kanë lëshuar deklarata të formuluara me kujdes se po monitorojnë situatën dhe po konsultohen me aleatët, por disa kanë filluar të tregojnë se i shohin zhvillimet në Rusi si një ndryshim të mundshëm të lojës, transmeton Demokracia.com.
“Kremlini korr atë që mbjell. E gjithë dhuna e drejtuar ndaj Ukrainës tani po dështon”, shkroi në Twitter presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, vendi i të cilit do të presë një takim të liderëve të NATO-s muajin e ardhshëm.
Politico foli me shtatë zyrtarë nga vendet e NATO-s dhe të gjithëve iu garantua anonimiteti për të folur sinqerisht për zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve në Rusi, por shumë e ndjenë nevojën për të qëndruar të përqendruar në Ukrainë, edhe në një kohë kur Rusia po tërheq vëmendjen e të gjithë botës.
“Ne presim që situata atje të përshkallëzohet, por fokusi ynë kryesor mbetet të ndihmojmë Ukrainën dhe të sigurojmë fitoren e saj”, tha një diplomat i Evropës Lindore, duke shtuar se për momentin nuk ka indikacione se çdo lëvizje e Rusisë do të kërcënonte fqinjët e saj.
Kapja tronditëse e Rostovit nga anëtarët e grupit Wagner përgatiti terrenin për një konflikt më të madh ushtarak midis forcave të ngurtësuara nga beteja e Prigozhin dhe ushtrisë ruse.
Helikopterët rusë duket se po bombardonin Voronezhin të shtunën në një përpjekje për të ndaluar trupat e Prigozhinit që po shkonin në veri drejt Moskës, kërcënimi më i madh për sundimin 23-vjeçar të Presidentit Vladimir Putin.
“Preja” më e madhe në rrugën për në Moskë për Wagneritët do të ishte qyteti i Tulës, ku ndodhet baza ajrore dhe qendra kryesore për prodhimin e armëve, që do të ishte një fitore kritike për Prigozhinin.
Asnjë zyrtar i NATO-s me të cilin foli Politico nuk ishte i gatshëm të ofronte një vlerësim më të thellë të krizës, pasi takime u mbajtën gjatë gjithë ditës për të shkëmbyer informacione dhe për të planifikuar çdo përgjigje.
Zëdhënësi i NATO-s tha thjesht “ne po monitorojmë situatën”.
I pyetur në lidhje me implikimet e mundshme të kaosit në Rusi, një zyrtar i lartë i NATO-s tha se ishte “shumë herët për të thënë diçka më shumë” dhe dy zyrtarë evropianë theksuan se nevojitet informacion më i qartë rreth situatës përpara se të mund të bëjnë një vlerësim.