Tani më është zyrtare, UEFA ka konfirmuar se Shqipëria dhe Serbia do ta organizojnë Kampionatin Evropian Euro 2027 për grupmoshat U21.
Përmes një komunikate zyrtare, shtëpia e futbollit njoftoi se turneu do të zhvillohet në tetë stadiume, katër në Shqipëri (Tiranë, Shokdër, Elbasan dhe Rrogozhinë) si dhe katër stadiume në Serbi (Novi Sad, Loznica, Lesokvoac dhe Zajecar).
Ndeshja hapëse do të jetë në Novi Sad të Serbisë, kurse finalja pritet të mbahet në “Air Albania”.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot dhe vendosi për emërimin e nikoqirëve për turneun final të Kampionatit Evropian U21 UEFA në vitin 2027”.
“Turneu me 16 ekipe është planifikuar të luhet në katër stadiume në Shqipëri (Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë) dhe katër stadiume në Serbi (Novi Sad, Loznicë, Leskovac dhe Zajeçar). Ndeshja hapëse do të zhvillohet në Serbi dhe finalja do të zhvillohet në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Ndërkohë, presidenti i FSHF-së Armand Duka thotë se me këtë organizim kanë thyer barriera.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, deklaroi Duka.