Prishtina ka njoftuar se ka transferuar në radhët e tyre Kushtrim Gashin.
Mesfushori kosovar, Kushtrim Gashi dhe ekipi kryeqytetas kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi dhe kanë nënshkruar kontratë të re dy-vjeçare.
29-vjeçari i bashkohet FC Prishtinës pas tre viteve shumë të suksesshme te skuadra e Ballkanit ku e ka fituar titullin kampion dhe Kupën e Kosovës.
Gashi në karrierën e tij ka luajtur edhe për Besën e Pejës, Vëllaznimin e Gjakovës dhe Istogun.
Mesfushori qendror u shpreh shumë i lumtur që iu bashkua Prishtinës derisa për faqen zyrtare të klubit, ka thënë se i është bashkuar ekipit më të madh në Kosovë.
“Sigurisht se ndjehem shumë i lumtur që jam bërë pjesë e Prishtinës, dhe ndjej përgjegjësi shumë të madhe që ta bartë fanellën e ekipit ’bardhekaltër’”, tha fillimisht ai, përcjell lajmi.net.
Sipas tij ekipi kryeqytetas është më i trofeshëm në Kosovë.
“Prishtina është klubi më i trofeshëm në Kosovë dhe duke e parë riorganizimin që është bërë brenda klubit sikurse në shtab teknik, staf dhe lojtarë, vendosa që edhe unë të bëhem pjesë e këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe serioz”, vazhdoi ai.
Në fund Gashi u premtoi tifozëve se do të jap maksimumin për Prishtinën.
“‘Plisave’ iu premtoj se do ta jap maksimumin në stërvitje dhe ndeshje ashtu siç kam bërë edhe në ekipet e tjera ku kam luajtur. Do të luftojmë për “Plisat” dhe do të festojmë së bashku pasi që ata janë lojtari ynë i 12-të”, përfundoi ai.