Milani ka zyrtarizuar përfundimin e transferimit të sulmuesit gjerman Niclas Füllkrug në formë huazimi, me opsion blerjeje.
Në një deklaratë në faqen zyrtare, “Rossonerët” kanë shprehur kënaqësinë për ardhjen e gjermanit dhe kanë konfirmuar se ai do të mbajë fanellën me numrin nëntë.
Ish-sulmuesi i Werder Bremenit dhe Borussia Dortmundit iu bashkua West Hamit në vitin 2024, por nuk arriti të bindë gjatë 18 muajve të qëndrimit në Londrën Lindore.
Në 29 paraqitje me klubin e Premier Ligës, gjermani shënoi vetëm tri gola dhe tani shpreson ta lërë pas këtë periudhë të vështirë në Angli.
Një fillim i ri te Milani mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet, ndërsa edhe vetë “Rossonerët” kanë hasur vështirësi këtë sezon për shkak të mungesës së një sulmuesi të besueshëm me numrin 9.
Gjermani do të jetë në dispozicion që sonte për Massimiliano Allegrin, i cili mund ta aktivizojë atë në ndeshjen ndaj Cagliarit. Edhe pse është pak e mundshme që ta nisë takimin si titullar, Füllkrug pritet të futet në lojë në pjesën e dytë.






