FIFA ka njoftuar një revolucion të vërtetë rregullash që do të hyjnë në fuqi që nga starti i Kupës së Botës 2026. Këto ndryshime synojnë të rrisin dinamikën e lojës dhe të eliminojnë vonesat e qëllimshme.
Këto janë 5 pikat kyçe që do të ndryshojnë gjithçka:
1. Jo më vonesa në zëvendësime
Lojtari që zëvendësohet ka vetëm 10 sekonda kohë për të dalë nga fusha. Nëse e kalon këtë limit, zëvendësuesi i tij do të jetë i detyruar të presë një minutë jashtë, duke e lënë ekipin përkohësisht me 10 lojtarë.
2. Rregulli “5 sekonda” për rivëniet
Për rivëniet anësore dhe ato nga porta, do të ketë një kohëmatës prej 5 sekondash. Nëse lojtari nuk e rinis lojën brenda kësaj kohe, zotërimi i topit i kalon automatikisht ekipit kundërshtar.
3. Trajtimi mjekësor jashtë fushës
Nëse një lojtar kërkon ndërhyrjen e mjekëve në fushë, ai duhet të dalë jashtë dhe të presë një minutë para se të rihyjë. Ky rregull nuk do të aplikohet vetëm në rastet kur dëmtimi vjen nga një faull që ndëshkohet me karton.
4. Zgjerimi i kompetencave të VAR-it
Sistemi VAR tashmë do të ketë dorë edhe te kartonët e dytë të verdhë (që çojnë në të kuq) si dhe te goditjet e këndit të dhëna gabimisht, duke shmangur kështu gabimet që mund të vendosin fatin e ndeshjes.
5. Vetëm Kapiteni me Gjyqtarin
Rregulli i ri përforcon autoritetin e arbitrit: vetëm kapiteni ka të drejtë t’i afrohet dhe të komunikojë me gjyqtarin. Çdo lojtar tjetër që guxon të afrohet në mënyrë kërcënuese ose ta prekë gjyqtarin, do të ndëshkohet menjëherë me karton të verdhë.






