31.7 C
New York
Monday, June 30, 2025

Buy now

Zyrtare: Dion Gallapeni prezantohet te skuadra polake Widzew Lodz

- Advertisement -

Talenti i madh kosovar, Dion Gallapeni, është prezantuar zyrtarisht te klubi i njohur polak, Widzew Lodz, që garon në elitën e futbollit polak.

Klubi kryeqytetas FC Prishtina ka përfituar 300 mijë euro nga shitja e mbrojtësit të majtë 20-vjeçar.

Gallapeni ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me skuadrën polake.

Prishtina do të mbajë edhe 10 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme e xhevahirit dardan.

“Gallapeni e nisi karrierën e tij te Prizreni, ndërsa zhvillimin e plotë si futbollist e bëri në radhët e FC Prishtinës, ku kaloi nga grupmoshat e reja deri te skuadra e parë”.

“Pavarësisht moshës së re, ai ka qenë një titullar i rëndësishëm, duke regjistruar 61 paraqitje zyrtare, mes tyre 49 ndeshje në Superligë, me bilanc dy gola dhe 8 asistime, si dhe 12 ndeshje në Kupën e Kosovës, ku kontribuoi me 3 gola dhe 2 asistime, duke ndihmuar klubin të fitojë edhe trofeun e Kupës. Gallapeni ka gjithashtu tre paraqitje me Kombëtaren A të Kosovës, ku debutoi në mars të këtij viti në ndeshjen play-off të Ligës së Kombeve ndaj Islandës. Në muajin qershor, ai ishte pjesë e dy miqësoreve të Kosovës kundër Armenisë dhe Komoreve”, ka shkruar klubi polak.

Vet Gallapeni e ka quajtur si hap të rëndësishëm transferimin e tij në elitën e futbollit polak, derisa e sheh këtë klub si mundësi të mirë për t’u zhvilluar.

“Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time dhe jam shumë i lumtur për këtë lëvizje. Widzew është një klub me histori të pasur, tifozë fantastikë dhe një projekt ambicioz që ofron mundësi të mëdha për zhvillim”.

“Pasi mora ofertën, fola me Kreshnik Hajrizin, i cili ka luajtur këtu më parë, dhe më tha se ishte një zgjedhje shumë e mirë”, u shpreh Gallapeni pas prezantimit.

Të ngjashme

Të fundit