Ruben Amorim më nuk është trajner i Manchester Unitedit, pasi ekipi anglez të hënën ka vendosur ta shkarkojë teknikun portugez.
Shkarkimi i Amorimit vjen një ditë pas barazimit 1:1 të Manchester Unitedit në udhëtim te Leeds Unitedi në kuadër të Premier Leagues.
Manchesteri këtë sezon nuk është në formën më të mirë në kampionat, pasi renditet në pozitën e gjashtë në tabelë me 31 pikë të mbledhura.
“Me Manchester Unitedin që renditet në vendin e gjashtë në Premier League, udhëheqja e klubit ka marrë vendimin se është koha e duhur për të bërë një ndryshim. Kjo do t’i japë ekipit mundësinë më të mirë për një përfundim sa më të lartë në Premier League. Klubi dëshiron ta falënderojë Rubenin për kontributin e tij në klub dhe i uron gjithë të mirat në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Unitedit.
Amorim më 11 nëntor të vitit 2024 ishte emëruar trajner i Unitedit, ndërsa pas shkarkimit të tij, ekipi do të udhëhiqet përkohësisht nga Darren Fletcher.






