Liverpooli ka kompletuar transferimin e sulmuesit suedez, Alexander Isak, nga Newcastle United, duke e prezantuar atë si numrin e ri 9 në “Anfield”.
Isak nënshkroi kontratë afatgjatë me kampionët e Premier League në ditën e fundit të afatit kalimtar, pasi kaloi me sukses testet mjekësore.
Ai bëhet transferi më i shtrenjtë në Premier League, duke kaluar nga Newcastle United për 125 milionë funte apo rreth 145 milionë euro.
Sulmuesi 25-vjeçar ka lënë gjurmë të thella në futbollin anglez gjatë tri sezoneve te Newcastle. Që nga transferimi i tij nga Real Sociedad në verën e vitit 2022, ai realizoi plot 62 gola në 109 paraqitje me klubin nga “St. James’ Park”. Në Premier League, shifrat e tij janë edhe më mbresëlënëse: 54 gola në 86 ndeshje, duke përfshirë edhe 23 gola vetëm sezonin e kaluar, ku u rendit i dyti në garën për “Këpucën e Artë” pas Mohamed Salahut.
Tashmë, Isak do të ndajë repartin e sulmit pikërisht me Salah, dhe ambiciet e tij janë të qarta.
“Mendoj se kam ende shumë për të dhënë dhe shumë për të përmirësuar. Jam sulmues, por gjithmonë dua të jap sa më shumë për skuadrën, kryesisht gola, por edhe më tepër se kaq. Dua të fitoj gjithçka, është kaq e thjeshtë,” – deklaroi Isak pas prezantimit.
Karriera e tij nisi te AIK në Suedi, përpara se të transferohej te Borussia Dortmund në vitin 2017. Pas një huazimi të suksesshëm te Willem II në Holandë, ai u bashkua me Real Sociedad në vitin 2019, ku arriti të shpallej golashënuesi më i mirë i Kupës së Mbretit dhe ndihmoi klubin të fitonte Copa del Rey 2019/20.
Në arenën ndërkombëtare, Isak ka regjistruar deri tani 52 paraqitje dhe 16 gola me kombëtaren e Suedisë.
Transferimi i tij te Liverpooli shihet si një lëvizje e madhe për klubin, i cili kërkon të mbrojë titullin e kampionit në Premier League dhe të synojë trofetë më të mëdhenj në futbollin evropian.