Mesfushori kosovar, Albin Krasniqi, i cili kaloi në verë të Kolos Kovalivka në Ukrainë, është rikthyer në Prishtinë.
Krasniqi kaloi te klubi ukrainas gjatë merkatos së verës në vitin e kaluar, si transferim falas, pasi kontrata e tij me klubin e Prishtinës kishte përfunduar.
Mirëpo, pas gjashtë muajsh jo të mirë në Ukrainë, Krasniqi është rikthyer te Prishtina.
Nga 16 ndeshje të mundshme në ligë, mesfushori është paraqitur vetëm në gjashtë sosh, duke luajtur vetëm 6%-shin e minutave të mundshëm.
Rikthimin e Krasniqit e ka zyrtarizuar Prishtina, e cila ka shkruar në sajtin e saj se ai do të jetë pjesë e klubit deri në fund të sezonit aktual.
“Albin Krasniqi është rikthyer në kryeqytet dhe do të mbajë fanellën tonë deri në fund të këtij sezoni, në formë huazimi nga klubi ukrainas Kolos Kovalivka. Futbollisti 24-vjeçar kishte lënë gjurmë gjatë periudhës së tij të parë në Prishtinë, ku zhvilloi 60 ndeshje zyrtare, duke realizuar 10 gola dhe 10 asistime. I transferuar te Prishtina në verën e vitit 2023, Krasniqi me rikthimin e tij sjell stabilitet, kreativitet dhe një forcë shtesë në fazën sulmuese. Ai e njeh mirë klubin, qytetin dhe pritshmëritë, çka e bën kontributin e tij të menjëhershëm. Momenti më i veçantë i tij me fanellën bardhekaltër mbetet goli vendimtar në finalen e Kupës së Kosovës, një gol që vulosi trofeun dhe u shndërrua në një kujtim të paharruar për klubin dhe tifozët”, ka shkruar Prishtina.
Krasniqi më herët në karrirën e tij ka luajtur edhe për Ferizajn e Dritën






