Zyrapi është pyetur se ku ishte Thaçi gjatë periudhës nga mesi i nëntorit të 98-së deri në fillim të 99-së.
Ai deklaroi se Thaçi gjendej jashtë Kosovës për të diskutuar me ndërkombëtarët, duke theksuar se “të gjithë e vlerësonin aftësinë politike të Thaçit”.
Ndër të tjera, është pyetur edhe për komunikimet që kanë pasur komandantët e UÇK-së me shtabin e përgjithshëm dhe mënyrës se si realizohej komunikimi.
Pjesë nga intervistimi i dëshmitarit Zyrapi:
Luka Misetiç: Në nëntor të 98-së, a kishit parashikuar të ndodhte një ofensive serbe në pranverën e 99-së?
Bislim Zyrapi: Ne në atë kohë jemi marrë me rimobilizimin. E dyta mendimet janë gjithmonë të operativës dhe shtabit të përgjithshëm sepse mendon për mbrojtje dhe ofensivat e ndryshme që mund të ndodhin.
Luka Misetiç: A ju kujtohet që komandant Remi nuk i dëgjonte kërkesat që i drejtonte drejtoria operative e Shtabit të Përgjithshëm për t’i tërhequr forcat nga linja e Podujevës?
Bislim Zyrapi: Po, më kujtohet.
Luka Misetiç: A është ky një shembull që tregon për vështirësitë që kishit ju me komandantët e zonës, sepse ata nuk dëgjonin urdhëratë që vinin nga zona operative?
Bislim Zyrapi: Po, është e vërtetë.
Luka Misetiç: Përafërsisht, nga mesi i nëntorit të 98-së deri në fillim të marsit 1999, e keni parë ju fizikisht zotërin Thaçi në Kosovë?
Bislim Zyrapi: Jo, deri në kohën kur është kthyer nga Rambuja.
Luka Misetiç: A e dinit ku ishte zotëri Thaçi, jashtë Kosovës nga mesi i nëntorit të 98-së e deri në fillim të marsit 99?
Bislim Zyrapi: Gjatë asaj kohe të nëntorit dhe dhjetorit ai ka qenë jashtë Shqipërisë dhe ka pasur bisedimet me ndërkombëtaret dhe ishte duke u përgatitur për takimet faktikisht të Rambujës e cila pastaj u mbajt në shkurt. E di që në këto drejtime është përgatitur dhe ka vepruar.
Luka Misetiç: Në 2008, në gjykimin Haradinaj i keni thënë trupit gjykues se nga maji deri në shtator operacionet luftarake nuk autorizoheshin paraprakisht nga Shtabi i Përgjithshëm në asnjë vend të Kosovës? A është saktë?
Bislim Zyrapi: Po.
Luka Misetiç: Gjithashtu, atij trupi gjykues në gjykimin e Haradinaj i keni thënë se nga momenti që keni hyrë për herë të parë në Kosovë e deri kur u larguat në shtator nuk kishte komunikime të rregullta mes shtabit të përgjithshëm dhe komandantëve të zonave. A është kështu?
Bislim Zyrapi: Kështu është.
Luka Misetiç: Para nëntorit të 98-së, ju personalisht si komunikonit me komandantët e zonave?
Bislim Zyrapi: Vështirë ka qenë që të komunikohet, përveç nëse kam shkuar në atë zonë për të komunikuar ose ai ka ardhur tek shtabi. Nuk kemi pasur komunikim përmes telefonit, të paktën po flas për situatën time.
Luka Misetiç: Zotëri Thaçi, u përzgjodh të kryesonte drejtorinë politike, saktë?
Bislim Zyrapi: Po.
Luka Misetiç: Ju deklaruat në intervistën e ZPS-së, që zotëri Syla dhe të gjithë drejtorët e tjerë e vlerësonin aftësinë politike të zotërit Thaçi, kështu?
Bislim Zyrapi: Ashtu është.