4.7 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Zyrapi pohon se ai dhe Veseli ishin përzgjedhur nga Azem Syla të përfaqësonin UÇK-në në bisedimet me Qeverinë Bukoshi

- Advertisement -

Dëshmitari Bislim Zyrapi pohoi se ka deklaruar që Azem Syla i kishte përzgjedhur atë dhe Kadri Veselin që të përfaqësojnë UÇK-në në bisedimet me qeverinë Bukoshi, e cila ishte në mërgim.

Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas dëshmitarit, takimet janë mbajtë në Tiranë dhe Stamboll, në të cilat ka marrë vetë pjesë dhe se për tjera vendtakime nuk e di. Ai shtoi se kur kanë shkuar në Stamboll kanë qëndruar 2-3 ditë. Tha se takimi në Stamboll ka zgjatë një ditë dhe pastaj kanë vazhduar në Tiranë.

Atij iu prezantua një dokument që mbante datën 2 nëntor 1998, e që kishte nënshkrimin e Veselit dhe Zyrapit, e po ashtu mbante vulën e Shtabit të Përgjithshëm.

Dëshmitari tha se nënshkrimi i këtij dokumenti është bërë në Tiranë dhe se dokumenti është i vërtetë. Sipas tij, kjo marrëveshje ka qenë edhe me vullnetin e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet se pse nuk ishte Azem Syla ai që nënshkroi marrëveshjen, por Zyrapi dhe Veseli.

“Për shkak se ne kemi fillu bisedimet me ata t’i bëjmë qysh më herët dhe përfundim të bisedimeve të nënshkruajmë, ne që kemi marrë pjesë në bisedime dhe kjo na është dhënë nga ana e komandantit të përgjithshëm që të nënshkruajmë këtë marrëveshje”, u përgjigj Zyrapi.

Edhe Gaynor pyeti dëshmitarin për Policinë Ushtarake, por deklaratat e tij konsistonin me ato se çfarë i kishte thënë më herët mbrojtjes, ZPS-së dhe trupit gjykues.

Pyetje shtesë pati sërish edhe gjyqtari Christoph Barthe, e që fillimisht ia prezantoi dokumentin e marrëveshjes me Qeverinë Bukoshi dhe e pyeti se pse shënohet në dokument se ajo marrëveshje ishte nënshkruar në Prishtinë. Zyrapi tha se arsyen nuk e di, por që e di faktin se marrëveshja ishte nënshkruar në Tiranë.

Më pas, u pyet se a kishte raste të tilla kur dokumenti ishte nënshkruar me një vend tjetër e të figuronte diku tjetër.

“Për këtë dokument po, është përgatitur dhe është nënshkruar në Tiranë. Për tjetër, nuk e di. Mund të ketë pasur por nuk më kujtohet”, u përgjigj dëshmitari.

Paraprakisht, gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi Guénaël Mettraux për rolin që ka pasur Shala në UÇK-së, ai tha se deri në fund të vitit 1998, Ferat Shala ka qenë komandant i njësisë “Pllumi”.

“Deri nga fundi i ’98-ës ka qenë komandanti i njësisë ‘Pllumi’, faktikisht njësisë në fshatin Negroc, rrugës afër Llapushnikut. Ka qenë në këtë detyrë. Pastaj, është transferu e në cilën detyrë nuk e di më tej”, tha Zyrapi.

Dëshmitari u pyet se a është në dijeni rreth përfshirjes së Ferat Shalës në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) sa i takon formimit, krijimit të sistemit informativ të UÇK-së ose ndonjë prej roleve të kësaj natyre.

“Po, më vonë kur është formu Shërbimi Informativ i Kosovës masi është formu Qeveria e Përkohshme nga Rambujeja, e di që ka dalë në atë sektor, po këtu çka ka punu në sektorin informativ nuk e di se çfarë detyre ka pas dhe a ka pas detyrë aty apo jo, se të paktën nga ai nuk kam marrë asnjëherë informacione të cilat u dashtë për çështjet ushtarake”, u përgjigj Zyrapi.

Ndryshe, avokati i Krasniqit, Aidne Ellis kërkoi kohë që të përgatitet për pyetjet e radhës për këtë dëshmitar, pasi sipas tij kanë dalë disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me klientin e tij.

“Kështu që do të donim që t’i fillonim nesër pyetjet tona”, tha Ellis.

Më pas, kryetari i trupit gjykes Charles Smith III tha se kjo varet nga parashikimi i secilit pasi sipas tij duhet të përfundohet nesër me marrjen në pyetje këtë dëshmitar.

“Nuk po them shpresojmë, po them që është e padiskutueshme që do përfundojmë nesër”, tha Smith III.

Ellis tha se është në dijeni për këtë dhe sipas tij ata janë ekipi i fundit që do të bëjnë pyetje. Pas kësaj, Smith III tha se do të bëjnë sërish një rivlerësim për kohën e pyetjeve të secilit që të bëhet e qartë se edhe sa kohë iu nevojiten për këtë dëshmitar.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit