27 C
New York
Friday, September 5, 2025

Buy now

Zyra e BE-së në Kosovë, e “shqetësuar” nga tentimet për ta kriminalizuar punën e OJQ-ve

- Advertisement -

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë të premten se ndihet e “shqetësuar” për raportimet e fundit në mediat, të cilat, sipas saj, po “përpiqen të frikësojnë dhe të kriminalizojnë” punën e organizatave joqeveritare (OJQ).

Reagimi i BE-së erdhi pas një emisioni të transmetuar më 4 shtator në televizionin Klan Kosova, ku organizata joqeveritare serbe, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut u akuzua për “sulm ndaj policisë dhe shtetit të Kosovës”.

“Sikurse mediat, edhe organizatat joqeveritare janë shtyllë thelbësore e shoqërisë civile kosovare, dhe roli i tyre është të vëzhgojnë, analizojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet, përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ajo tha se në fund të vitit 2024, Aktiv, në bashkëpunim me disa organizata të tjera serbe, publikuan një raport publik mbi sjelljen e papërshtatshme të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe përdorimin e “simboleve të palejuar”.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës e kanë pranuar këtë problem dhe kanë formuar një grup pune për ta adresuar, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë BE-në”, thuhet më tej në reagim.

Më herët kishte reaguar edhe organizata joqeveritare Aktiv, duke theksuar se e dënon ashpër dhe se i hedh poshtë “kategorikisht si të pavërteta, dashakeqe dhe të papërgjegjshme” pretendimet e paraqitura në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.

Në deklaratën e saj, Aktiv shprehet se gazetari Kushtrim Bekolli ka shfaqur një sërë akuzash të pabazuara ndaj tyre, duke iu referuar raportit “Etnizimi i Policisë së Kosovës: rrënimi i themeleve të institucioneve qytetare dhe multietnike të Ahtisaarit”, i publikuar bashkërisht nga pesë organizata të shoqërisë civile – Iniciativa e Re Shoqërore, Qendra për Veprim Shoqëror Afirmativ, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, Aktiv dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike.

“Akuzë më e rëndë ishte pretendimi se Aktiv merret me ‘spiunazh’ dhe përbën kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës. Deklarata të tilla shpifëse përbëjnë fyerje serioze dhe janë paraqitur në mënyrë të rrezikshme si fakte, duke e ekspozuar organizatën tonë dhe OJQ-të e tjera serbe në Kosovë ndaj rrezikut potencial, sidomos në një mjedis shoqëror e politik të ndjeshëm dhe të paqëndrueshëm”, theksohet në reagim.

Në hulumtimin “Etnizimi i Policisë së Kosovës”, organizatat serbe vunë në dukje se pjesëtarë të policisë vendosin në uniformat e tyre simbolet e Shqipërisë dhe të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që sipas tyre “nuk kontribuon në paqe dhe tolerancë, por forcon ndarjet dhe tensionet ekzistuese”.

Raporti u publikua pas një sërë ankesash të qytetarëve në veri të Kosovës ndaj policisë, si dhe pas paralajmërimeve të shoqërisë civile se policia po përdor “forcën” për të vendosur kontrollin.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës për Radion Evropa e Lirë në atë kohë u tha se janë të njoftuar me ankesat e qytetarëve serbë lidhur me punën e policisë dhe se për këtë çështje po bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Në reagimin e saj, Aktiv theksoi se sulmi ndaj tyre “minon shoqërinë civile, delegjitimon zërin e komunitetit serb në Kosovë dhe rrezikon themelet e një shoqërie shumetnike dhe demokratike.

Organizata u bëri thirrje rregullatorëve të Kosovës, si Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dhe organi vetërregullues, Këshilli i Mediave të Shkruara, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të reagojnë.

Ato kërkuan nga institucionet e Kosovës, sidomos nga Prokuroria, që të hetojë veprimet e Klan Kosovës, “të nisin procedura të duhura dhe të marrin hapa konkretë për të mbrojtur shoqërinë civile nga fushatat e shpifjeve dhe narrativat e urrejtjes”.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Sbunker, e cila promovon vlerat demokratike në Kosovë dhe rajon, në fillim të këtij viti paraqiti një studim me titull “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: tendencat, sfidat dhe kundërmasat”, ku theksohet rritja e etnonacionalizmit, që kontribuon në ndarje shoqërore.

Në këtë hulumtim thuhet se intervistat dhe grupet fokale treguan se tek të rinjtë shqiptarë nacionalizmi ka më shumë karakter mbrojtës – i fokusuar në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe kërkimin e drejtësisë për të kaluarën – sesa në përjashtimin e grupeve të tjera etnike.

Të ngjashme

Të fundit