Ish-shef i stafit të Behgjet Pacolli dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij, Jetlir Zyberaj, në një postim në facebook, duke iu referuar ngërçit aktual në skenën politike të Kosovës ka shkruar se “nëse ka një moment kyç që shënon fillimin e zhbërjes së besimit ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, ai është vendimi i vitit 2011 i Gjykatës Kushtetuese, që largoi z. Behgjet Pacolli nga pozita e Presidentit me një arsyetim juridik që sot do ta turpëronte çdo gjykatë në një shtet funksional”
Sipas tij, aktgjykimi që kishte shpallur jo kushtetuese zgjedhjen e Pacollit ka qenë “atentat institucional ndaj një kandidati legjitim dhe ndaj një përpjekjeje për stabilitet politik”.
“Për ata(gjykatësit shqiptar të kushtetueses, sepse dy gjykatësit ndërkombëtar ishin pro), ishte më me rëndësi që të mos pranonte një president si Pacolli, sesa të garantonte funksionimin e institucioneve të Republikës” ka shkruar ai.
Postimi i plotë
Në vitin 2011, me një vendim që e rrëzoi rendin kushtetues për të ngritur egon personale te dikujt, Gjykata Kushtetuese e përjashtoi me arrogancë dhe qëllim të qartë Behgjet Pacollin nga pozita e Presidentit të Republikës, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese si vegël për goditje politike.
Ky nuk ishte vendim juridik, ishte atentat institucional ndaj një kandidati legjitim dhe ndaj një përpjekjeje për stabilitet politik. Për ata(gjykatësit shqiptar të kushtetueses, sepse dy gjyjatësit ndërkombëtar ishin pro), ishte më me rëndësi që të mos pranonte një president si Pacolli, sesa të garantonte funksionimin e institucioneve të Republikës.
E gjithë mënyra si ai e trajtoi rastin Pacolli, me përbuzje, me arrogancë, me kreativitet pseudo-kushtetues, e tregon qartë se interesi i tij apo i tyre nuk ishte drejtësia, por dëmtimi politik i një politikani jo-konvencional shqiptar dhe ndalimi i rrotacionit demokratik.
Por dëmi më i madh nuk ishte ndaj Pacollit. Ishte ndaj vetë Kosovës.
Sepse me atë vendim filloi një cikël krizash, ku gjykata shndërrohej në aktor politik, ku rregullat ndryshonin sipas nevojës së ditës, dhe ku vullneti i qytetarit nuk kishte më vlerë në raport me interpretimet e ndonjë “profesori të kushtetutës”.
Në emër të “kushtetutshmërisë”, krijuan një precedent ku gjykatat mund të rrëzojnë qeveri, presidentë dhe Kuvende, jo për shkak të shkeljes së ligjit, por për shkak të mospërputhjes me qejfin e tyre.
Sot, kur ish kryetari i Gjykatës kushtetuese përpiqet të flasë për integritet institucional dhe ta relativizojë rolin e tij, duhet t’i kujtojmë: interesi yt personal për të ndaluar Behgjet Pacollin dëmtoi të ardhmen e Kosovës dhe solli krizë institucionale që zgjati me vite.
Historia do ta thotë troç: në vitin 2011, një njeri përdori një institucion për t’i bërë dëm një politikani që nuk e pëlqente – dhe si pasojë, u rrëzua një shtet që mezi po ndërtohej.