Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka deklaruar se mungesa e një qëndrimi të unifikuar të partive politike shqiptare në Kosovë ka lejuar që Lista Serbe të mbetet forcë politike me ndikim vendimmarrës në vend.
Zyba ka theksuar se qëndrimi i Vetëvendosjes ndaj Listës Serbe nuk lidhet vetëm me procesin e certifikimit zgjedhor, por me të gjitha veprimet e këtij subjekti politik gjatë viteve.
“Qëndrimi ynë është për Listën Serbe, jo për çdo serb dhe jo për çdo subjekt politik serb në Kosovë. Vetëvendosja nuk ka vendosur bazën ligjore të certifikimit ajo e ka gjetur atë si obligim kushtetues dhe ligjor. Procesi ka ndodhur tre herë dhe më pas është certifikuar sërish, por jo nga Vetëvendosja, nga mekanizma institucionalë”, ka thënë Zyba në Tëvë1.
Ai ka shtuar se, nëse partitë e tjera shqiptare do të kishin qenë të qarta dhe të qëndrueshme në raport me Listën Serbe, situata politike do të ishte ndryshe.
“Po të kishin qenë subjektet tjera, të paktën ato shqiptare, të qarta dhe me qëndrime publike, sot Lista Serbe nuk do të ekzistonte si subjekt i përsëritur e as si fuqi politike vendimmarrëse në Kosovë”, është shprehur ai.
Sipas Zybës, disa parti brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk guxojnë të votojnë si Vetëvendosja për shkak të përgjegjësive që mbajnë nga bashkëqeverisjet e së kaluarës.
“Mund të kenë vetëdije, por veprimet e tyre shpesh janë kundër vullnetit popullor. Nëse për arsye të bashkëqeverisjes në të kaluarën, përveç rastit ‘Banjska’ kanë qenë bashkëfajtorë në disa procese, atëherë nuk e marrin guximin t’ia atribuojnë vetes këto veprime”, ka deklaruar Zyba.






