Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka folur për vizat e punës që ky shtet i ka lëshuar për qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2023.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se nuk kanë të dhëna të sakta, por zakonisht lëshojnë 100-150 viza pune për qytetarët kosovarë gjatë vitit.
Nga ambasada thonë se edhe këto viza, nuk janë krejtësisht të punës pasi që janë vetëm për shoferë të autobusëve dhe artistët që përformojnë në Zvicër.
“Qytetarët e Kosovës dhe të vendeve të tjera jo-anëtare të BE-së/EFTA kanë një qasje shumë të kufizuar në tregun zviceran të punës. Këto viza kryesisht lëshohen për aktivitete afatshkurtra – pa të drejtë qëndrimi në Zvicër – deri në maksimum 120 ditë në vit për shoferët e autobusëve ose artistët që performojnë në Zvicër”, ka thënë për lajmi.net Jean-Daniel Glauser, kryetar i seksionit të vizave në Qendrën Regjionale Konsullore të Zvicrës për Ballkanin Perëndimor.