19.1 C
New York
Tuesday, August 19, 2025

Buy now

Zvicra intensifikon përpjekjet për ta bindur Leon Avdullahun

- Advertisement -

Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka shtuar ndjeshëm përpjekjet për të bindur mesfushorin e ri të talentuar, Leon Avdullahu, që të zgjedhë Zvicrën në nivel përfaqësues.

Sipas Sport.ch, një delegacion i lartë i SFV-së, i përbërë nga presidenti Peter Knabel, përzgjedhësi Murat Yakin dhe ndihmësi i tij Davide Calla, ka udhëtuar kohët e fundit në Gjermani për ta vizituar Avdullahun në klubin e tij të ri, TSG Hoffenheim.

Kjo vizitë vjen në një kohë kur edhe Kosova po e kërkon intensivisht 21-vjeçarin. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ishte takuar personalisht me Avdullahun në fund të qershorit në Bazel, ndërsa një përfaqësues i Kosovës ishte i pranishëm edhe në seancën e parë stërvitore të tij me Hoffenheimin.

SFV-ja ka reaguar me shpejtësi ndaj ofensivës së Kosovës. Knabel, që ka marrë detyrën e presidentit më 1 gusht, e ka shpallur “çështjen Avdullahu” si përparësi të lartë. Ai synon të përdorë edhe kontaktet e tij në Hoffenheim për të ndikuar në vendimin e lojtarit.

Murat Yakin, që dikur ishte përballur me një situatë të ngjashme si zvicerano-turk, ka përfshirë edhe përvojën personale në bisedimet me lojtarin.

“Në disa biseda personale me Leonin dhe me Hoffenheimin, ia kemi shpalosur rëndësinë që ka për ekipin tonë kombëtar. Duam ta ndjekim nga afër zhvillimin e tij si lojtar dhe si njeri, që ai të ketë mundësi të përballet me më të mirët në arenën ndërkombëtare”.

Sipas burimeve të “Blick”, Avdullahu gjendet në listën paraprake të Zvicrës për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër… pikërisht Kosovës, dhe Sllovenisë. Ai mund të debutojë me Zvicrën ndaj vendit që po e kërkon po ashtu me ngulm.

Nga rrethi i ngushtë i lojtarit mësohet se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, çka mban gjallë shpresat e Zvicrës. Ekspertët e futbollit tashmë e shohin Avdullahun si partner të mundshëm të Ardon Jasharit në mesfushë – pasardhës të dysheve të suksesshme Xhaka/Freuler.

Një rol kyç mund të luajë edhe Davide Calla, ndihmësi i Yakinit, i cili ka punuar me Avdullahun për dy vite te FC Basel dhe e njeh mirë si lojtar dhe si profesionist.

Të ngjashme

Të fundit