Home Lajme Zv/drejtoresha e ARBK-së dyshohet se ia pezulloi certifikatën Klan Kosovës nga Budva

Zv/drejtoresha e ARBK-së dyshohet se ia pezulloi certifikatën Klan Kosovës nga Budva

0

Vendimin e dytë për t’ia pezulluar certifikatën e biznesit Klan Kosovës, zv/drejtoresha e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Lebibe Haliti, po dyshohet se e ka marrë nga Budva.

Tri burime të ndryshme ia kanë konfirmuar Nacionales se Haliti përgjatë asaj kohe ka qenë në pushime, dhe vendimin e ka nënshkruar atje. Detaje të reja zbulohen për skandalin që shkaktoi reagime të mëdha vendore e ndërkombëtare

Pushteti për herën e dytë para disa javësh ia pezulloi certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova. Kjo pasi drejtoresha Pranvera Pestreshi e kishte anuluar vendimin e parë për pezullim. E kjo duket se nuk i kishte pëlqyer Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë e cila më pas e ka shkarkuar Pestreshin, nën dyshimet për “konflikt interesi”, me arsyetimin se një familjar i Pestreshit punon në Klan Kosova.

Pas shkarkimit të Pestreshit, “amaneti” shkoi në vend. Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti, nënshkroi vendimin e ri me të cilin sërish ia pezulloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës. Megjithatë, këtu nuk qëndron skandali i vetëm.

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se në ditët kur Lebibe Haliti ia pezulloi për herën e dytë certifikatën Klan Kosovës, ajo ka qenë në pushime në Budva. Këtë informacion gazeta e ka konfirmuar nga tri burime të ndryshme të afërta me zhvillimet.

Nacionale për ta konfirmuar këtë dyshim e ka kontaktuar direkt Lebibe Halitin. Megjithatë, ajo nuk ka pranuar të komentojë, duke na kërkuar t’i drejtohemi me pyetje Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Pas pritjes për më shumë se një javë, ministria që drejtohet nga Rozeta Hajdari i ktheu përgjigje mediumit. Aty, MINT as nuk e pohon e as mohon dyshimin që Lebibe Haliti këtë vendim e ka nënshkruar nga Budva. Megjithatë, ata e konfirmojnë që kjo çështje është trajtuar me prioritet.

Gazeta e ka pyetur Ministrinë se pse ka qenë e nevojshme ngutia që vendimi të nënshkruhet nga Budva, por Ministria e Tregtisë vetëm ka thënë se është zbatuar ligji.

“Vendimet janë nënshkruar nga Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, sipas procedurave të përcaktuara ligjore. Institucioni përcakton prioritetet e secilit proces, prandaj edhe veprimet lidhur me lëndët në fjalë janë trajtuar me prioritet dhe ashtu është vepruar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë.

Pezullimi i certifikatës së biznesit për herën e dytë radhazi për Klan Kosovën, ka shkaktuar reagim masiv në Kosovë por edhe reagime nga spektri ndërkombëtar këtu përfshirë ambasadorë të shteteve të fuqishme.

Çfarë kishte ndodhur?

Fillimisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e kishte pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosovën. Kjo pas raportimi në një portal se lokacioni i biznesit ishte regjistruar si (Pejë-Serbi). Këtu filluan reagimet e shumta.

Pas disa ditësh, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve me në krye Pranvera Pestreshin e kishte anuluar vendimin e parë. Kjo nuk u prit mirë nga pushteti. Këta të fundit gjetën një arsyetim se Pestreshi ka konflikt interesi pasi një familjar i saj punon në Klan Kosova.

Prestreshi u shkarkua nga pozita që mbante, dhe Klan Kosovës iu pezullua sërish certifikata e biznesit. Këtë vendim e nënshkroi Lebibe Haliti, motra e deputetit të VV-së, Enver Haliti.

Klan Kosova ka shprehur habinë me këtë vendim të ri të ARBK-së, brenda më pak se 24 orë prej vendimit të parë dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë që ta kthejë ligjshmërinë në këtë çështje.

“Klan Kosova vazhdon të besojë se veprimet e ditëve të fundit, si dhe ky i sotmi, janë tendencë e qartë për të pamundësuar veprimin e medias së pavarur dhe shprehjes së fjalës së lirë. Klan Kosova, si dhe deri më tash, edhe për këtë hap do t’i njoftojë të gjitha organizatat dhe institucionet e medias dhe gazetarëve në vend dhe në botë, përfaqësitë diplomatike dhe misionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë”, thuhej në njoftim.

Klan Kosova tashmë ka bërë të ditur se ka dorëzuar dokumentacionet shtesë në ARBK, dhe pret që t’i kthehet licenca.

Exit mobile version