Kritikat ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga kabineti i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, s’kanë të ndalur dhe tashmë – me ç’duket – janë kthyer në qëllim në vetvete. Kësaj here nga këshilltari i tij politik, Jeton Zulfaj, i cili madje shkroi se ShBA po punon edhe kundër vetë strategjisë së saj për siguri kombëtare. Zulfaj, pretendon që përmes paraqitjes së një kronologjie të qëndrimeve (të selektuara në favor të argumentit të tij) të QUINT’it për zgjedhjet në veri të shpërfaqë “kundërthënie” te ta. Ta lexojmë, Zulfajn…
“Në çdo hap, ishte e qartë se serbët e Kosovës në pjesën veriore të vendit po e bojkotonin zgjedhjet për shkak presionit nga Serbia. Procesi u mbështet, rezultatët u njohën, por kur erdhi koha që kryetarët e rinj të zgjedhur të nisnin punën, QUINT’i tërheqi mbështetjen. Pse?”, shkroi ai.
Në rend të parë, Zulfaj paraqet një renditje të selektuar qëndrimesh, por nuk tregon për komunikatën e QUINT-it që të mos hyhet me forcë në objektet zyrtare komunale “të cilat mund të mos jenë të qasshme” dhe ku kryetarët “mund të mos jenë të dëshiruar”, kësisoji duke e fshehur komunikatën dhe qëndrimet e ShBA-së – krejt kjo, sigurisht, për të paraqitur një të vërtetë të pjesshme dhe të përdredhuar për hir të argumentit të tij.
Por, Zulfaj, i cili kishte qenë këshilltar edhe i Fatmir Limaj, në të kaluarën, nuk ndalet me kaq. Ai ka vlerësim madje edhe për ShBA-në, shtetit më të fuqishëm në botë. Po punojnë kundër vetë interesave të tyre, shkruan ai, duke provuar të bëjë konstatim si dy plus që dy bëjnë katër.
“Është e qartë se përgjigja shtrihet në politikën e njëjtë (e të kahershme) ndaj autokratëve – marrja me të mirë. Gjithashtu është e qartë se kjo është kundër Strategjisë Kombëtare për Sigurisë të ShBA’së”, shkruan ai, teksa vazhdon të cilojë një fragmet nga ajo Strategji, thuase e tërë strategjia amerikane është e formuluar në as 100 fjalë.
“Ne do të punojmë për të forcuar demokracinë në mbarë botën para se qeverisja demokratike tejkalon vazhdimisht autoritarizmin në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, çon në shoqëri më të begata dhe elastike dhe krijon partnerë më të fortë dhe më të besueshëm ekonomikë dhe të sigurisë për ShBA’në”, citon Zulfaj.
“Demokracitë dhe autokracitë janë të angazhuara në një garë për të treguar se cili sistem qeverisjeje mund të ofrojë më së miri për njerëzit e tyre dhe botën. Strategjia e Shteteve të Bashkuara për Kundër Korrupsionit njeh kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për sigurinë tonë kombëtare”, vazhdon të citojë ai.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hiç më larg se dje kritikoi Emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të cilin tha se “po na vjen më kërkesa të Serbisë”.
Escobar, ka pasur përgjigje për këto pretendime të qeverisë kosovare.
“Kemi disa sfida në marrëdhëniet dy-shtetërore në të pasurit punë me kryeministrin (Albin Kurti)”, tha fillimisht ai ditë më parë në një bisedë me gazetarë, teksa shpjegoi se “është e dhimbshme” të paramendohet se ShBA po i mban anën Serbisë.
“Do të jem tejet i sinqertë: ShBA ka qenë mbështetësi më i madh i juaji dhe më dhemb kur e shoh që njerëzit mund të mendojnë se disi ne jemi ka e çojmë angazhimin për përfitime të Serbisë. Dua t’jua risjellë ndërmend se Serbia ishte kundër pavarësimit tuaj më 2008, ne e çuam përpara; Serbia ishte kundër fushatës tonë për njohje (ndërkombëtare) të Kosovës përgjat viteve e ne e çuam përpara; edhe këtu, ata ishin kundër Kosovës në KiE e e ne çuam përpara; ishin kundër zgjedhje, ndërsa ne i pamë në funksion legjitim; ishin kundër rezultateve e ne i thamë atyre se ishin të lira dhe fer. Prandaj, kur qeverisë i kërkuam të mendojë si do të shkonin para dhe u dhamë disa sugjerime konkrete, ne u çuditëm se si ata mund të mendojnë që disi ne qenkeni armiku”.
“Kjo na thotë neve diçka se si na shohin ata si partnerë, dhe kjo ka pasur pasoja”, teksa tha se qëndrimet e shprehura nga Kurti dhe kabiniteti qeveritar i tij ShBA i merr si sinjale për saktësisht këtë partneritet.
“Nuk do të thotë me doemos që ne duhet të qëndrojnë gati (për koordinim) me një individ i cili nuk e ka atë instintinkt për bashkëpunim dhe bashkërendim. Dhe, më duhet ta them, që ne jemi krejtësisht të përçudnuar por ama edhe krejtësisht të përbashkuar me BE-në, aleatin e juaj më të afërm rreth asaj se pse po ndodh kjo. Pse kjo mungesë e koordnimi, bashkëpunimi dhe vizioni politik për të tejkaluar këtë?”.
Por, nuk është vetëm me ShBA-në që kjo qeveri po përplaset, u shpreh i bindur ai, por me tërë komunitetit Trans-Atlantik.
“Dërgohet sinjal i fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne, mendoj se kjo do të ishte fatkeqe, dhe meqë jemi këtu, jo për Kosovën, por për Kryeministrin. Dua ta bëj tejet të qartë se kjo nuk të ndikojë në marrëdhëniet afatgjatë me Kosovën. Por, ama, veprimet e marra ose veprimet që nuk merren, mund të kenë disa pasoja që mund të afektojnë pjesë të marrëdhënieve. Por s’dua të dalë aty”, ka thënë ai.