8.1 C
New York
Saturday, March 15, 2025

Buy now

ZRRE propozon shtrenjtimin e rrymës për 15%, qytetarët të revoltuar: Barrë e papërballueshme

- Advertisement -

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) njoftoi të premten se ka propozuar një rritje prej rreth 15 për qind të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, e cila pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

Ky propozim ka nxitur shqetësim të qytetarëve, të cilët thonë se rritja e çmimit do të rëndojë edhe më shumë jetën e tyre të përditshme, veçanërisht të atyre me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.

Qytetari Hasan Avdiu thekson se kjo rritje do të godasë më së shumti shtresat e cenueshme të shoqërisë.

“Me siguri që do të ndikoj, sidomos për pensionistët dhe ata që kanë të ardhura të ulëta. Do të ndikoj shumë negativisht. Patjetër, nuk është barrë që mund të bartet kjo. Ishte dashur që të reagojmë se bëhet fjalë për popullatën”, ka thënë ky qytetar.

Edhe, Ramadan Gashi, e sheh këtë si një barrë të papërballueshme, duke pasur parasysh pagat e ulëta dhe shpenzimet e tjera jetësore.

“Ka ndikim se qytetarët kanë rrogat e vogla, nga 300 euro e përpjetë, ku me 300 euro i harxhon 70 deri 80 euro rrymë. Nuk mundemi t’i përballojmë kështu këto çmime të larta. Rryma duhet të jetë më e lirë. Ia kanë shitur turkut e kanë bërë dallavere, ne e paguajmë e po e paguajmë shtrenjtë. Në bazë të rrogave ne vetëm të mbetemi pa rrymë, nuk mund të përballojmë këto çmime. Duhet që të merrn hapat që të mos shtrenjtohet. 100 euro mua do të më shkojnë veç ilaçe, e rrymë si të paguaj”, ka thënë ai.

Fatmir Bujupi, një qytetar tjetër, thotë se ky shtrenjtim nuk është i drejtë, duke marrë parasysh standardin e ulët të jetesës. Ai tha se ZRRE-ja duhet ta ketë parasysh standardin e njerëzve.

“Vazhdimisht edhe në të kaluarën, edhe sigurisht edhe në të ardhmen shtrenjtimi i rrymës, për mendimin tim, nuk është real. Por, megjithatë, qytetarët atje që vendosin për këto gjëra sigurisht i kanë këto parasysh, por gjithmonë duhet që ta kenë parasysh edhe standardin e njerëzve, standardin e publikut edhe shpenzimet në rritje të kostos së jetës. Prandaj mendoj që është e tepruar kjo”, ka thënë ai.

Ndërsa, qytetari Ajvaz Rama e quan këtë një barrë të rëndë dhe një veprim të papërgjegjshëm nga ana e qeverisë. Ai kritikoi qeverinë aktuale që nuk ka mbajtur premtimin për lirim të rrymës.

“Barrë shumë e madhe, këta nuk janë në tokë të bukës, kjo qeveri. Ka pasur ardhur me premtime që ne do ta lirojnë rrymën. Si të shtrenjtohet rryma zinxhir shkojnë ato, edhe nuk ndalen hiç. Është shumë keq, edhe ndikon shumë negativisht tek të gjithë, sidomos te ajo pjesa e varfër e po ashtu edhe të bizneset e çdo gjë zinxhir është e lidhur ajo. Ky është vetëm mendimi im se nuk mund të ndikojmë tek ata se e kanë marrë me turr, qytetarët po i votojnë, po mjerimi nuk shohin as një metër përpara, i kanë blerë me nga 100 euro, në rrymë ia ka marr 300 euro. Edhe nuk janë duke kuptuar njerëzit, edhe nuk dinë të punojnë, edhe nuk dëgjojnë”, ka thënë ai.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit