Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po pretendon se Ismet Bahtijari e ka kërcënuar dëshmitarin 1 me vrasjen e të birit të tij. Kjo është bërë e ditur në një version më pak të redaktuar të aktakuzës së përbashkët ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit.
“Kur dëshmitari 1 e pyeti se a do të vritej djali i tij nëse dëshmitari 1 do të dëshmonte, Bahtijari pohoi”, thuhet në pikën 10 të aktakuzës.
Gjykata Speciale e ka publikuar aktakuzën e unifikuar në rastin ku ish-deputeti Haxhi Shala, si dhe Sabit Januzi e Ismet Bahtijari akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara njoftuan se aktakuza e përbashkët konfidenciale është dorëzuar më 12 janar 2024 dhe se tashmë është publikuar një version i redaktuar i saj.
KOHA kishte raportuar se si aktakuzat ishin thuajse identike, ku në aktakuzat kundër Januzit dhe Bahtijarit përmendej bashkëkryersi 1, si organizator i veprimeve të të pandehurve, ndërkaq në aktakuzën kundër ish-deputetit Shala ai identifikohej si personi që i ka udhëzuar dy të akuzuarit e tjerë për të frikësuar dëshmitarin 1 të japë dëshmi në Speciale.
Në aktakuzën ndaj tyre thuhet se ata kanë ndërmarrë veprime në drejtim të frikësimit të dëshmitarit që ka dhënë ose ka mundur të japë informata pranë hetuesve dhe prokurorëve të ZPS-së ose Gjykatës Speciale.
Në aktakuzë flitet për kontaktet me dëshmitarin 1, ku pretendohet edhe tentim jojshja e tij me 200.000 euro për të mos dëshmuar në Speciale.
Të tre akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale individualisht dhe në bashkëkryerje. Në këtë rast Prokuroria e ka dorëzuar dosjen paraprake, ndërsa mbrojtja ka kërkuar afat shtesë për ta dorëzuar këtë dosje paragjyqësore. Shqyrtimi kryesor siç bëjnë të ditur burime në Hagë, pritet të nisë së shpejti, pas vendimeve gjyqësore lidhur me dosjen që do të paraqitet prej avokatëve mbrojtës.
ZPS-ja pretendon se Januzi e Bahtjari i shkuan dëshmitarit në shtëpi dhe i ofruan edhe para me qëllim të frikësimit.
“16. Konkretisht, Januzi i tha dëshmitarit 1 se Shala i kërkoi Januzit t’ia përcillte mesazhin se nëse dëshmitari 1 e tërheq dëshminë e tij, Shala dhe persona të tjerë të paidentifikuar do t’i ‘ndihmonin’. Dëshmitari 1 iu përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët do t’ia sillnin 200.000 euro, do të merreshin vesh. 17. Dëshmitari nuk e pranoi as nuk e mohoi që ishte dëshmitar. Januzi tha se do t’u thoshte ‘atyre’ se çfarë tha dëshmitari. 18. Pak pas vizitës së tij më 12 prill 2023 te dëshmitari 1, Januzi e telefonoi përsëri Shalën. 19. Si rezultat i kontaktit të dytë, dëshmitari 1 u frikësua edhe më shumë për sigurinë e tij dhe të familjes së tij”, thuhet aktakuzën së publikuar./e.o/