Fillimisht dëshmitari u pyet se a ka marrë pjesë në keqtrajtimin e personave të ndaluar në Kleçkë.

“Mendoj që një gjë e tillë është konstatu edhe me aktgjykim të formës së prerë në rastin Kleçka”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Si rrjedhojë, erdhi deklarata e prokurores e cila tha se ai ka parë dhe bërë më shumë gjera se sa është duke deklaruar në sallën e gjyqit sot.

“Qëndrimi im është ky; Ju keni parë dhe keni berë më shumë se nga çka jeni të gatshëm të ndani me ne këtu dhe ju e keni ditur që të ndaluarit po keqtrajtoheshin në Kleçkë. Çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë?”, pyeti prokurorja Iodice.

Këtë gjë e mohoi dëshmitari duke thënë se nuk ka qenë as pjesë e stafit të asaj qendre dhe se nuk e di që ka pasur keqtrajtime aty.

“Nuk ka qenë e vërtetë absolutisht sepse së pari nuk e di që ka pasur keqtrajtime dhe e dyta nuk ka qenë në domenin tim që ta di dhe do të thotë në rrethanat që po flasim e ka qenë e pamundur që ta dijë duke shtuar që fillimisht unë nuk e di që kanë ndodhur aty. Por, në supozim së kanë ndodhur nuk kam pasur se si ta dijë pasi që nuk i kam takuar stafit të qendrës së mbajtjes atje”, tha ai.

Avokati i Veselit, Rodney Dixon kërkoi që të informohet se qëndrimi i kujt ishte ky duke shtuar se fjalët e prokurorisë ishin një sulm i drejtpërdrejtë

“Ky është qëndrim i prokurorisë ose çfarë qëndrimi ishte ky? Sepse ky është një sulm i drejt për së drejti që lidhet me besueshmërinë e dëshmitarit. Cili është burimi i këtij qëndrimi”, tha Dixon.

Prokurorja tha se nuk e din a të përgjigjet në praninë e dëshmitarit. Megjithatë kryegjyqtari urdhëroi që të përgjigjet.

“Kjo është ë bazuar nga provat që kemi, në dokumentet tona gjyqësore për përfshirjen e dëshmitarit në keqtrajtime”, tha prokurorja.

Serish ndërhyri Dixon duke thënë se ky është qëndrimi i Prokurorisë.

Përpara gjithë këtij blloku pyetjesh, dëshmitari u pyet lidhur me burgun e pretenduar në Lladrovc për të cilën dëshmitari kishte thënë se ka dëgjuar për ekzistencën e tij.

“Mendoj që çështja Lladrovc është përmendur për herë të parë në rastin “Kleçkë”. Mirëpo, mendoj që nuk është sqaruar dhe elaboruar. Mirëpo, unë mund të them me aq sa unë di që në Lladrovc nuk ka pasur burg. Aty është trajtuar një rast jashtë brigadës 121 të cilin e ka ruajtur z.Sokol Dobruna. Pse unë jam në dijeni të atij rasti?! Është sepse unë në atë kohë kam qenë në Terpezë afër Lladrovcit ose pak më afër dhe Sokol Dobruna me ka marrë me vete në mënyrë që ta shoh mënyrën e të intervistuarit në mënyrë që unë të mësoj nga ana e tij. Kaq mund të them për Lladrovcin”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se personi i intervistuar ishte Hamdi Thaçi me nofkën “Rrushi” i cili dyshohej se kishte tentuar ta përdorë armen kundër eprorit në Drenicë, Sahit Jasharit.

Por, dëshmitari tha se pasi kishin arritur aty dikush i kishte thënë Dobrunës që dikush kishte ardhur gjatë natës dhe e kishte liruar ketë person.

Si rrjedhojë, dëshmitari tha se Dobruna i kishte thënë që ky është një shembull i keq e që edhe vetë ai do ta lironte këtë person por përmes procedurave për të përcjellë një mesazh tek ushtaret që të ketë disiplinë.

Pas Prokurorisë, pyetjet për dëshmitarin i filloi Geoffrey Roberts i cili udhëheqë me ekipin mbrojtës të Rexhep Selimit.