Burri i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, zgjodhi që sonte të sulmojë mediat në një formë agresive, duke i quajtur ato “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Reagimi i tij me nervozizëm ndaj mediave erdhi vetëm pasi që këto të fundit publikuan shpenzimet e Osmanit për naftë, gjatë kohës që ishte deputete.
Osmani, për katër vite shpenzoi katër mijë euro, ndonëse jeton në Prishtinë.
“Kur perfaqesuesit e Ndermarrjeve te Perbashketa kriminale, ‘gazetaret’ e parapolitikes, e persona të perfshirë ne reket e ne keqperdorime milioneshe, moralizojne”, shkruajti Sadriu.
Mirëpo shprehja “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale” nuk është diçka e padëgjuar në publik.
Së fundmi, kjo është shprehja e përdorur nga Prokurorët e Speciales për krerët e UÇK-së, dhe UÇK-në në tërësi.
Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale përdoret si formë përgjegjësie në lëminë ligjore ndërkombëtare në Gjykatat për krime lufte.
Ndryshe, Prindon Sadriu, aktualisht është edhe ushtar edhe diplomat.
Ai përveç që është pjesëtar rezervë i FSK-së, është edhe ushtrues detyre i ambasadorit të Kosovës në Shkup.
Pritet të shihet nëse AGK apo organizata tjera do të reagojnë ndaj kësaj gjuhe linçuese dhe fyese të “zotëriut të parë” karshi mediave.